Ish-strategu i fushatës elektorale të Donald Trump në SHBA, Christopher Lacivita ka rënë në kurthin e disa gazetarëve të cilët janë hequr si klientë për punë konsulence politike. Gjatë një komunikimi virtual me ta, Lacivita ka thënë se ka vizituar në fshehtësi Australinë për të ndihmuar partinë liberale.
“Isha në Australi dy javë më parë duke ndihmuar partinë liberale atje, me disa nga problemet e tyre strukturore që kishin me Peter Dutton. Gjërat duket se po lëvizin disi në drejtimin e duhur atje… këto përpjekje janë të natyrës rreptësisht politike dhe nuk kërkojnë që unë të angazhohem me qeverinë e Shteteve të Bashkuara. Asnjë nuk e dinte që isha aty”, tha LaCivita më 16 prill.
Por teksa e krahason këtë me atë çfarë po bën në Shqipëri, Lacivita u shpreh se i pëlqen të lëvizë dhe punojë në fshehtësi, por në vendin tonë një gjë të tillë e ka pasur të pamundur. Madje shtoi se ndryshe nga vendet e tjera, ndërhyrja e SHBA-ve në zgjedhjet e Shqipërisë, mirëpritet.
“Nuk jam i interesuar për vëmendje. Unë punoj me diskrecion. U përpoqa edhe në Shqipëri të mos kisha shfaqje, por aty shqiptarët kanë një tjetër mëndësi. Është një nga ato vende ku ndërhyrja amerikane në zgjedhje pritet dhe mirëpritet. Në vende të tjera jo dhe aq shumë. Çdo klient është ndryshe por….. Ata nuk e dinin kurrë se isha atje”, tha LaCivita.
Vizita e fshehtë e Lacivitas ka ngjallur debate në Australi gjë që e bëri Lacivitan të reagonte për The Guardian duke sqaruar se nuk është takuar me kreun e partisë Liberale, por ofron konsulencë për fusha të ndryshme.
“Unë nuk kam punuar dhe nuk punoj për Partinë Liberale të Australisë. Unë ofroj konsulencë për një gamë të gjerë interesash biznesi - disa në Australi, disa në SHBA etj., në terma të një partie politike - nuk e kam bërë këtë. Gjithashtu, nuk e kam takuar kurrë z. Dutton, por shpresoj ta takoj kur të zgjidhet kryeministër.”- shtoi strategu aktual i PD në fushatën elektorale. Versus.al








