POLITIKË /

VIDEO/ Merr fund "saga" 1 vjeçare e bashkisë Himarë, momenti kur Vangjel Tavo i PS shpallet fitues

Mbi 1400 vota diferencë ishte rezultati që e shpalli Vangjel Tavon fitues përballë kandidatit të opozitës Petro Gjikuria.

Shkruar nga Versus

VIDEO/ Merr fund "saga" 1 vjeçare e bashkisë Himarë,

Vangjel Tavo i Partisë Socialiste është shpallur fitues i zgjedhjeve për kreun e bashkisë së Himarës. Në rezultatin final pas numërimit të votave në 36 qendrat e votimit, Tavo arriti të siguronte 5022 vota ose 58.62% përballë 3545 votave (41.38%) të marra nga kundërshtari i tij Petro Gjikuria.

Menjëherë pas fitores, Tavo reagoi për mediat duke deklaruar se nuk ka kohë për festë por duhet nisur nga puna, ndërsa përsëriti propozimin që bëri për Gjikurinë para zgjedhjeve duke i ofruar postin e nënkryetarit.

“Mirënjohës që më dhatë besimin tuaj për të drejtuar bashkinë, sot fitoi Himara! Nuk ka kohë për festë por do të fillojmë të gjithë nga puna për Himarën e bashkuar dhe pa probleme. Zhvillimi që na pret para nuk është i fragmentarizuar por një i tërë”- u shpreh Tavo ndër të tjera.

Ndërkohë, krahasuar me zgjedhjet e vitit të kaluar, Tavo rezulton të ketë marrë 1500 vota më shumë se kryetari i zgjedhur Fredi Beleri. Ndërsa Petro Gjikuria mori 300 vota më pak se Fredi Beleri.

Me fitoren e Tavos merr fund “saga” mbi një vjeçare për drejtimin e bashkisë Himarë e cila që në fillim të fushatës zgjedhore të vitit të kaluar u përfshi nga tensione, me kryeministrin Edi Rama që sulmoi drejtpërdrejt Fredi Belerin, kandidatin e opozitës, koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Më 12 maj, 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, Fredi Beleri u arrestua në Himarë me urdhër të SPAK nën akuzën e blerjes së 8 votave kundrejt 40 mijë lekëve.

Ai u shpall fitues i zgjedhjeve përballë Jorgo Goros por nuk mundi ta ushtronte detyrën e tij për shkak se ndodhej në burg. Funksioni i kryebashkiakut u ushtrua nga Jorgo Goro deri në mars të këtij viti kur u arrestua me urdhër të SPAK nën akuzën e tjetërsimit të pronave në Himarë. Goro u zëvendësua nga Blerina Bala e cila e mbajti postin për vetëm dy muaj pasi dha dorëheqjen për arsye personale. Kryetar në detyrë u zgjodh Arqile Bollano me 12 vota të këshillit bashkiak ndërsa me 5 korrik KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e kryebashkiakut të Belerit të dënuar me 2 vite burg, duke e çuar Himarën në zgjedhjet e parakohshme që i dhanë fund “sagës 1 vjeçare”. Problemi më i madh që konsiderohet të jetë më aktuali në Himarë është çështja e pronave. Versus.al

 

 

 

Poll