Kreu i PD, Sali Berisha shprehet se ai nuk e kishte menduar se do të rikthehej një ditë në lidershipin e demokratëve, pas dorëheqjes në vitin 2013.
Në “Kjo Javë”, Berisha tha se ai u largua nga drejtimi i PD, pas humbjes së zgjedhjeve 12 vite më parë, për t’i hapur rrugën alternativave, pavarësisht se siç u shpreh një gjë e tillë nuk u provua.
“Sikur të kisha mednuar një gjë të tillë nuk jepja dorëheqjen në 2013. Ju siguroj se kam dhënë dorëheqjen pa ndonjë keqardhje. Pse? Nuk e kam dhënë dorëheqjen se ma kërkoi njeri apo se nuk ritkhejja te fitorja PD-në por me bindjen se shqiptarët meritojnë alternativat t’i provojnë. Dhe u ndjeva shumë i qetë kur në PD nuk u zëvendësua vetëm kryetari, por gjeneratat dhe e kam quajtur një ogur të mirë në PD, pavarësisht se nuk u provua e tillë”, shprehet Berisha.
Por sfida e Sali Berishës sot janë vitet mbi supe, mbi 80 vjeç. Kryedemokrati pohon se ndihet mirë nga gjendja shëndetësore, madje siç shprehet, edhe më në formë se 15 vite më parë.
Nisida Tufa: Si e shihni raportin me moshën?
Sali Berisha: Është një raport si ta marrësh. Nëse mosha të vendos përpara, nuk është një raport i këndshëm. Por nëse moshën e ve përpara, është një raport i dobishëm. Në kuptimin që eksperienca vlen shumë. Nëse më pyet mua sot në rrafshin e performacës se sa vite ndihem, unë ndihem më mirë se 10-15 vite më parë. Jo që s’më ka vënë mosha para, por përkundrazi e kam dominuar plotësisht. Kjo më kujton shprehjen e tiranasve se robi plaket kur do vetë. BW







