
Ish-kandidati i "Nisma Shqipëria Bëhet", Ergys Isufi, ka reaguar sot përmes një videoje të postuar në rrjetet sociale, pas incidentit të djeshëm, ku ai u kap nga policia me një dozë kokaine.
Në reagimin e tij, Isufi fillimisht kërkoi ndjesë për publikun dhe, veçanërisht, për kolegët e tij të partisë "Shqipëria Bëhet". Ai theksoi se shumë qytetarë i kanë shprehur mendimin se nuk është i përshtatshëm për politikë, duke shtuar se kishte vendosur të angazhohej në këtë fushë për të kontribuar sipas parimeve dhe bindjeve të tij.
Pavarësisht kërkesës së tij për falje, në fund të videos, Isufi theksoi se shumë qytetarë e njohin dhe e dinë që ai nuk ka pasur asnjë lidhje me çështje penale apo përdorimin e lëndëve narkotike. Sidoqoftë, ai kërkoi falje disa herë për ngjarjen e djeshme.
Isufi ka falënderuar në fund Policinë e Shtetit që nuk u bë pjesë e një dashakeqësie dhe inskenimi.
Ditën e djeshme, Isufit iu gjet një dozë kokaine me vete, të cilën dyshohet ta kishte për përdorim vetjak. Ai u ndalua nga policia ndërsa po udhëtonte së bashku me një person të mitur nga Saranda në drejtim të Borshit, ku do të zhvillohej një miting elektoral. Pas këtij takimi, ai do të nisej për në Tiranë për të marrë pjesë në takimin përmbyllës të fushatës së Nismës "Shqipëria Bëhet", që do të mbahej sot.
Gjatë kontrollit, Isufi ka tentuar të largohet me vrap, por është kapur dhe neutralizuar nga forcat e policisë./Versus.al








