Komisioni Rregullator i KQZ-së nuk arriti të miratojë projektvendimin me afatet për organizimin e zgjedhjeve të pjesshme në Bashkinë e Himarës.
Projektvendimi mori 3 vota pro dhe 2 kundër, teksa për miratimin e tij nevojiteshin 4 vota.
Anëtarët Muharrem Çaka dhe Helga Vukaj votuan kundër, duke arsyetuar se duhej pritur deri te premten sa të shprehet Gjykata Administrative nëse do bënte sigurim padie për kërkesën e Alfred Belerit për pezullim të dekretit të Presidentit.
Anëtarët e tjerë që votuan pro theksuan se dekreti është në fuqi dhe është detyrues për institucionet e tjera.
Mes debatesh përfaqësuesi i PS në KQZ, Eridian Salianji tha se Komisioni rregullator po tejkalon kompetencat duke gjykuar një vendim të KQZ për heqjen e mandatit dhe dekretin e Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve, duke thënë se janë në kufijtë e shpërdorimit të detyrës. Sipas Salianjit, po pengohet procesi zgjedhor
Anëtari Muharrem Çakaj tha se ky është intimidim dhe kërcënim dhe kërkoi nga kryetarja të merren masa për Salianji.
Pjese nga debati ne Komisionin Rregullator te KQZ-së
Muharrem Çakaj: Ajo që sapo tha Salianji, ishte intimidim dhe kërcënim. E ftoj të ruajë qetësinë dhe ta përdorë jashtë kësaj salle. Jeni të lirë të thoni çfarë të doni, nuk funksionon në këtë sallë. Sapo përmendi shpërdorim detyre, e ftoj ti thotë, por jashtë kësaj salle. Atë qasje është i lirë ta përdorë jashtë kësaj salle. Kemi nja 8 muaj që i kemi bërë me dije KQZ për uzurpim kërkesash dhe ankesat tona kanë rënë në vesh të shurdhër. Ruani etikën.
Eridian Salianji: Nuk e di ku e pa intimidimin, nuk imtimidova.
Muharrem Çakaj: Kanë zgjedhur të bëjnë teatër këtu, 4 gusht data e zgjedhjeve, dhe e marrin vendimin me 5 gusht, refuzoj të kem këtë qasje për zbatimin e kodit zgjedhor, refuzoj të kem çfarëdolloj presioni, inditimdimi, shantazhi nga çdo lloj përfaqësues. Merrni masa për atë çfarë deklaroi Salianji këtu, përndryshe e kemi shkelur rregulloren.








