POLITIKË /

Vota e diasporës, Celibashi: 21 mijë zarfe të pashpërndarë! 11 mijë emigrantë s'janë gjetur në adresat e dhëna

Clibashi tha se duke qenë se procesi i votimit nga jashtë po zhvillohet për herë të parë, natyrisht që mund të paraqiten probleme, por deri më tani tha se procesi ka shkuar shumë mirë.

Shkruar nga Versus
Vota e diasporës, Celibashi: 21 mijë zarfe të
Ilirjan Celibashi

Kryekomisioneri i zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi zhvilloi sot një konferencë me mediat ku foli lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor për votën e diasporës. Sipas Celibashit, deri më tani janë raportuar 156 problematika me shërbimin postar.

Ai tha se deri më tani 144 mijë emigrantë e kanë sjellë fletën e votimit mbrapsht. Ndërsa 21 mijë zarfe me fletën e votimit ende nuk janë shpërndarë.

Të gjithë emigrantëve të regjistruar të cilëve ende nuk u ka mbërritur fleta e votimit, Celibashi bëri thirrje që të kontaktojnë me postën DHL.

Sa i takon denoncimit të bërë dje nga PD se persona të pautorizuar kanë marrë fletat e votimit të disa emigrantëve në Greqi, Celibashi tha se duhen fakte dhe sugjeroi që çdo provë të tillë, vetë zgjedhësi duhet ta raportojë si problematikë.

“Unë kam gjithë respektin për partitë politike. Ajo çfarë ka peshë dhe merr rëndësi, është fakti. Mbi ato fakte që neve na janë paraqitur, ne kemi marrë ato masa që duhej të ndërmerrnim. Mund të ketë qenë një rast i tillë, por nuk më vjen në mendje se çfarë duhet të bëjmë. Nëse një zgjedhës, nuk e ka marrë fletën e votimit, mund ta raportojë vetë zgjedhësi”- tha Celibashi duke u kërkuar secilit zgjedhës që të raportojë në KQZ në rast të problematikave të tilla.

11 mijë emigrantë shqiptarë nuk janë gjetur në adresat e dhëna. Celibashi u bëri thirrje që të paraqiten vetë në zyrat e postës DHL. Ndërsa u ritheksoi se deri në datën 8 maj kanë kohë për të shkuar pasi fletët e votimit duhet të mbërrijnë në Shqipëri brenda orës 19:00 të datës 11 maj.

“21 mijë zarfe kompania nuk i ka shpërndarë akoma. 11 mijë janë për shkak të problematikave për saktësi adrese, e-mail-i kontakti apo numër telefoni, pra nuk janë mundur të gjenden zgjedhësit dhe janë në zyrat e tyre. E kemi këtë informacion, ndaj i kemi bërë thirrje para disa ditësh këtyre votuesve që të shkonin te shërbimi DHL i vendit përkatës dhe të interesoheshin. Pjesa tjetër janë që DHL i ka telefonuar apo njoftuar dhe nuk u janë përgjigjur thirrjeve dhe deri në datën 8 maj kanë kohë për të shkuar. Kompania pret që vetë zgjedhësit të shkojnë vetë”- shtoi kreu i KQZ.

Thirrje për emigrantët shqiptarë në Greqi ka patur vazhdimisht edhe kryeministri Edi Rama i cili u ka kërkuar që të paraqiten vetë në zyrat e kompanisë postare për të marrë zarfin. Ndërsa sot solli në vëmendje faktin se në ishujt e Greqisë përfundon mundësia për të dërguar zarfin.

“Pavarësisht vështirësive të kompanisë, tani janë shpërndarë mbi 90 për qind e zarfeve. Në ishuj mbaron sot mundësia për të dërguar votën, në gadishull ka akoma disa ditë. Mos e lini për ditën e fundit. Hapeni zarfin, vini shënimin te numri 5.”, u shpreh kryeministri Rama. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: