
Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka reaguar pas zgjedhjeve për strukturat drejtuese të partisë, ku humbi garën për postin e nënkryetarit përballë Belind Këlliçit.
Në një intervistë televizive, Boçi pranoi se procesi i votimit brenda demokratëve ka pasur problematika, duke theksuar se rezultati është ndikuar nga elementë subjektivë.
“Momenti i votimit është një moment që ka shumë elementë brenda. Nuk është shumë i pastër si moment, është shumë subjektiv dhe jo shumë objektiv”, tha Boçi.
Ai u shpreh se të dy kandidatët kishin të njëjtat mundësi dhe nuk beson se Këlliçi ka bërë një lobim më të madh për të fituar garën.
“Të dy kishim të njëjtat mundësi. Nuk mendoj se Këlliçi ka lobuar më shumë. Këto janë gjëra që kanë relativitetin e tyre. Nuk do të hyj të gjej detaje”, deklaroi deputeti demokrat.
Boçi komentoi edhe vlerësimin e Sali Berishës për ekipin e ri drejtues të PD-së, të cilin e cilësoi “më të mirin në histori”. Sipas tij, krahasimi mes ekipeve duhet bërë duke marrë parasysh situatat e ndryshme politike.
“Është e drejta e kryetarit të partisë të japë mendimin e tij. Por ekipet varen edhe nga momentumi politik. Nuk është i njëjtë ky moment me atë të katër viteve më parë, kur ishte në lojë ekzistenca e Partisë Demokratike”, u shpreh ai.
Deputeti shtoi se partitë politike në Shqipëri shpesh vuajnë nga “amnezia” dhe duhet të marrin parasysh edhe kontributet e së kaluarës.
“Ka qenë një situatë krejt ndryshe atëherë dhe nuk mund të thuash që ai ekip nuk ishte i mirë. Sot kemi një situatë tjetër dhe është e drejta e kryetarit të japë vlerësimet e tij”, përfundoi Boçi./Versus.al

