
Ashtu siç kanë deklaruar më herët për atentatet e tjera, edhe këtë herë një deputet socialist në reagimin për atentatin e djeshëm me 100 plumba në Rinas u shpreh se ngjarje të tilla ndodhin kudo.
Pavarësisht momentit të ditës dhe lëvizshmërisë së madhe në zonë, ligjvënësi Ardit Bido u mjaftua me argumentin se edhe në Amerikë ndodhin atentate të tilla, por pa marrë parasysh heterogjenitetin e SHBA dhe territorin jashtëzakonisht të madh për t’u marrë totalisht nën kontroll.
Në studion e “Quo Vadis” ai tha se Shqipëria është vend i sigurtë pavarësisht atentatit ku u vra dje Gilmando Dani dhe u plagos efektivi i AMP, Muçi Shaljani. “Përsa kohë ekziston krimi i organizuar, do të ketë vrasje të tilla”- shtoi Bido.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Është Shqipëria një vend i sigurt?
Bido: Patjetër që është një vend i sigurt. Duke ardhur nga një ngjarje e rëndë te kjo pyetje, duket sikur s’kemi emocione. Patjetër që është një ngjarje që duhet të hetohet. Kemi të bëjmë me një vrasje në një pikë kyçe, të një personazhi të njohur të botës së krimit. Duhet hetuar dhe duhet të dalin para drejtësisë individët. Por nuk duhet ta vendosim direkt pyetjen përballë. Vrasje të tilla mafioze ndodhin në çdo vend të botës. Edhe në Amerikë kanë ndodhur vrasje mafioze. Sa ekziston krimi i organizuar, do të ketë vrasje të tilla.
Borakaj: Kush janë faktorët, pse vijnë turistët dhe nuk ka krim banal në rrugë? Del ministrja, flet për vende të sigurta dhe bëhen vrasje brenda ditës?
Bido: Po, jemi vend i sigurt. Nga ana tjetër janë edhe mediat që bëjnë pompim.
Kikia: Amerika është një vend me 200 milionë banorë.
Bido: Shqipëria nuk futet te vendet e rrezikuara. Ngjarje të tilla të rënda, patjetër që ndodhin, krimi ekziston si kudo. Por Shqipëria është një vend i sigurt; edhe ti vetë mund të dalësh e të shkosh ku të duash dhe nuk rrezikon.
Borakaj: Jo, ne dalim nga shtëpia dhe nuk e dimë ku po shkojmë, me thënë të drejtën. Versus.al

