Numërimi i votave preferenciale për zgjedhjet e 11 majit në Qarkun e Tiranës ka përfunduar, me ish-ministren Olta Xhaçka që ka siguruar një mandat parlamentar, duke lënë pas kolegen e saj Blerina Gjylameti me vetëm dy vota diferencë. Xhaçka ka marrë gjithsej 5806 vota, ndërsa Gjylameti 5804.
Në rangun e kandidaturave të tjera, kandidati më i votuar në listën e Partisë Socialiste në Tiranë është Blendi Gonxhja, i cili ka marrë 22,398 vota. Pas tij renditen Erion Braçe me 21,364 vota dhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, me 19,113 vota. Më tej, në renditjen e preferencave ndodhen Fatmir Xhafaj me 12,677 vota, Ornaldo Rakipi me 9,683 vota dhe Anila Denaj me 8,783 vota.
Përkundër rezultateve të mira për shumë kandidatët e tjerë të PS-së, disa figura të njohura dhe "veteranë" të partisë, të cilët janë konsideruar të rëndësishëm për strukturën e saj, kanë mbetur jashtë Parlamentit. Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Xhemal Qefalia, Toni Gogu, Ermonela Felaj, Etilda Gjonaj, Klotilda Bushka dhe Plarent Ndreca nuk kanë arritur të sigurojnë mandate.
Në zgjedhjet e 11 majit, Partia Socialiste fitoi një mandat të katërt qeverisës me 83 deputetë. Partia Demokratike siguroi 50 mandate, ndërsa Partia Socialdemokrate mori 3 mandate. Subjektet e reja, si "Mundësia" e Agron Shehajt, siguruan 2 mandate, ndërsa "Nisma Shqipëria Bëhet" dhe "Lëvizja Bashkë" siguruan nga një deputet secila.







