Tiranë- 4 maji është data të cilën partitë e vogla opozitare e kanë propozuar tek presidenti Bajram Begaj si më të përshtatshmen për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.
Sot në presidencë kanë qenë krerët e LZHK, Partisë Agrare Ambientaliste, PDIU, PBDNJ dhe Partisë Republikane.
Në argumentin e dhënë nga kreu i PAA, Agron Duka theksohet se më datë 9 maj do të mbahet në Tiranë samiti i Komunitetit Politik Europian dhe një gjë e tillë mund të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare.
Kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi tha para mediave se i kishte ngritur presidentit shqetësimin e mungesës së modalitetit për votën e emigrantëve.
“Nuk ka akoma një dakordësi përsa i takon votës së emigrantëve. Asnjë parti politike nuk duhet të ketë avantazh nëpërmjet mundësisë për të bërë një kod zgjedhor, sepse atë ditë zgjedhin shqiptarët, të gjithë partitë janë të barabarta. Sa kohë akoma nuk ka një dakordësi për modalitetet e votës së emigrantëve, kjo gjë duhet marrë parasysh” u shpreh Idrizi.
Ndërkohë, nesër presidenti Bajram Begaj do të takojë në presidencë përfaqësues të Partisë së Lirisë, kreu i së cilës Ilir Meta ndodhet pas hekurave që prej 21 tetorit për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Begaj do të zhvillojë takime konsultuese me Partinë Demokratike dhe Socialiste më 25 nëntor. Versus.al