
Mazhoranca është gati të investojë 50 mln euro për votimin elektronik duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme.
Deputeti socialist, Damian Gjiknuri ditën e sotme në Kuvend ka deklaruar se qeveria është gati të investojë mbi 50 milionë euro, nëse arrihet konsensus politik me opozitën.
“Qeveria ka shprehur gatishmërinë për të financuar me një vlerë mbi 50 milionë euro që votimi në Shqipëri të realizohet në mënyrë elektronike. Nëse ka vullnet, ne mund ta realizojmë për zgjedhjet e përgjithshme”, deklaroi ai.
Gjatë shqyrtimit të raportit të veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2025, Gjiknuri u shpreh se votimi elektronik mund të realizohet që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nëse ekziston vullneti i nevojshëm politik.
Ai bëri të ditur gjithashtu se Komisioni i Reformës Zgjedhore pritet të kërkojë shtyrjen e afatit të punës, për shkak të vështirësive në komunikimin politik mes palëve. Sipas Gjiknurit, komisioni ka bërë përparim në aspektin teknik, por mbeten ende çështje për t’u adresuar, mes tyre financimi i partive politike dhe disa dispozita të Kodit Zgjedhor.
Deputeti theksoi se zgjatja e afatit do t’u japë palëve më shumë kohë për të arritur një marrëveshje mbi ndryshimet e nevojshme në legjislacionin zgjedhor.
“Komisioni i Reformës Zgjedhore besoj se në seancën tjetër do të kërkojë shtyrjen e afatit. Ka kryer një punë relativisht të mirë, por ka pasur vështirësi në komunikimin politik. Ta shtyjmë edhe për disa muaj që të adresojmë çështjet e mbetura, si ligji për financimin e partive dhe përbërja e komisionit zgjedhor”, u shpreh Gjiknuri./Versus.al

