Ashtu siç ishte paralajmëruar disa ditë më parë, Tom Doshi, kreu i Partisë Social Demokrate rikonfirmoi kandidaturën e tij për deputet në këtë qark, ndërsa i bëri thirrje Diasporës për mbështetje.
“Po e deklaroj sot që unë do jem deputet i Shkodrës për 4 vitet e ardhshme. Synimi jonë nuk është më për dy deputetë, por duke parë punën dhe mbështetjen në qarkun e Shkodrës, do luftojmë për 3 mandate. Për diasporën kam një thirrje, të votojnë PSD nëse duan të shohin njerëzit e tyre më të lumtur”, - u shpreh ai.
Nga Shkodra, Partia Social Demokrate prezantoi programin elektoral për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Sekretari organizativ i PSD, Klementin Mile, bëri publike pikat kryesore nga punësimi deri tek mosha e tretë dhe bujqësia.
“Programi ka disa pjesë, një nga pjesët kryesore është ekonomia. 10 milionë euro nga buxheti i shtetit që bizneset të kenë asistencë teknike falas. SPAK, GJKKO, organet e drejtësisë kanë mbështetjen tonë të plotë. 5 milionë euro për projektet e të rinjve nga diaspora që të vijnë këtu. Do subvencionojmë fermerët për çdo njësi prodhimi dhe krerë bagëtish që mos të ketë pension nën 190 euro. 10% të vendeve të punës në administratë për të rinjtë e sapodiplomuar. Një minimum jetik për të gjithë njerëzit prej 220 eurosh në muaj”, - tha Mile.
Ky program, sipas Kreut te PSD, Doshi është ndërtuar për çdo familje shqiptare.
Në zgjedhjet parlamentare, PSD synon zgjerimin e saj me deputët në gjithë vendin teksa në zgjedhjet e fundit lokale në qarkun Shkodër doli forcë e parë sa i përket numrit të këshilltarëve.








