
TIRANË- Institucionet financiare jobanka fituan pesë miliardë lekë ose rreth 48 milionë euro vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fitimi i këtyre institucioneve u rrit me shumë se dy herë krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë, duhet theksuar se një pjesë e fitimeve të institucioneve financiare jobanka mund të jenë të lidhura me dividendët e marrë nga shoqëritë ku janë aksionere. Dy prej institucioneve financiare jobanka janë aksionerë të bankave tregtare dhe fitimet e tyre ndikohen edhe nga shpërndarja e dividendëve të këtyre bankave.
Banka e Shqipërisë vë në dukje se institucionet financiare jobanka vitin e kaluar raportuan në përgjithësi një vit pozitiv, me zgjerim të aktivitetit, rritje të fitimit dhe nivel të mirë të kapitalizimit.
Në Shqipëri veprojnë aktualisht 27 institucione financare jobanka të licencuara. Ato janë të ndara në dy profile kryesore të aktivitetit: institucione të kredidhënies (përfshi veprimtari të lizingut, faktoringut apo mbledhjes së kredive të këqija) dhe insitucioneve të shërbimeve të pagesave apo parasë elektronike.
Në segmentin më të madh të tregut sipas totalit të aktiveve, atij kreditues, portofoli është i ndarë pothuajse në mënyrë të barabartë mes individëve dhe bizneseve.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i huasë i institucioneve financiare jobanka në fund të vitit 2023 arriti në 56 miliardë lekë ose pothuajse 540 milionë euro. Portofoli i kredisë i dhënë nga këto institucione është rritur me afërsisht 14% krahasuar me fundin e vitit 2022.
Sektori i aktiviteteve të tjera të shërbimit dhe ai i tregtisë me shumicë dhe pakicë janë sektorët më të financuar të biznesit, me nga rreth 25% dhe 16% të totalit të stokut për bizneset, ndjekur nga ndërtimi, me afërsisht 10%.
Edhe cilësia e portofolit të kredisë shënoi përmirësim gjatë vitit të kaluar. Raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 14% nga 15% një vit më parë. Rreth 78% e kapitalit të paguar të institucioneve jobanka është kapital vendas./Monitor

Privati do të ndërtojë në prona publike, çfarë përfiton shteti





Ndotja e ajrit dhe pensionet e ulëta, nxitës të rinj të emigracionit

