AKTUALITET /

Ndryshimet në ligj, reagon “Urdhri i Mjekëve”: S’jemi pyetur! Qeveria po na kthen në shtojcë të ministrisë

Në reagimin zyrtar të "Urdhrit të Mjekëve" kërkohet që qeveria dhe parlamenti të rishikojnë ndryshimet e bëra në ligj.

Shkruar nga Versus

Ndryshimet në ligj, reagon “Urdhri i Mjekëve”:

Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë ka reaguar lidhur me ndryshimet e miratuara nga Këshilli i Ministrave së fundmi ku mjekëve të punësuar në publik, u ndalohet të punojnë më shumë se 50 orë në muaj në spitale private.

Ligji u publikua në fletoren zyrtare dje por sipas “Urdhrit të Mjekëve”, akti normative u kalua në parlament pa pasur asnjë lloj konsultimi paraprak me grupet e interesit. Ndërsa lidhur me këto ndryshime, “Urdhri i Mjekëve” pritet të thërrasë edhe Asamblenë Kombëtare për të shprehur një qëndrim zyrtar.

Sipas deklaratës, me këto ndryshime “Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë” kthehet në një shtojcë të ministrisë së Shëndetësisë ndërsa kërkohet që ndryshimet në ligjin që ka hyrë në fuqi nga 7 gushti, të rishikohen nga qeveria, Kuvendi dhe presidenti Bajram Begaj. 

"Me ndryshimet e reja ligjore, UMSH nga edukues kthehet në ndëshkues, nga ent publik jobuxhetor i pavarur profesional kthehet në një shtojcë apo departament të Ministrisë së linjës. Miratimi i Kodit të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore bëhet nga Ministria e linjës, përbërja, organizimi dhe funksionimi i komisionit të disiplinës dhe komisionit të apelimit rregullohet me vendim të këshillit të ministrave. Siç shihet, pavarësia humbet plotësisht, nuk ka asnjë element të vetërregullimit apo të vetëqeverisjes profesionale siç i kemi pasur në përputhje me ligjin dhe tiparet e homologëve ndërkombëtar. Pa përmendur klauzola të tjera në ligjin e ndryshuar, por që në fakt kanë të bëjnë me veprimtarinë e institucioneve shëndetësore publike (kontrolli i sistemit të referimit, kontratat e punës etj.) shihet qartë se ndryshimet ligjore bien ndesh me rolin, misionin dhe funksionin e UMSH-së. Këto ndryshime dhe shtesa prishin përputhshmërinë me homologët tanë ndërkombëtar.

Duke theksuar për mosdakordësinë tonë të plotë me këto ndryshime ligjore, kërkojmë nga të gjithë organet ligjvënëse dhe ligjzbatuese (Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria, Presidenti i Republikës së Shqipërisë edhe si mjek) të rishikohet ky akt normativ dhe përfaqësuesit tanë të jenë pjesë e konsultimeve për të bërë një ligj të ri për UMSH në kuadrin e përshtatjes së legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Evropian dhe gjithmonë në përputhje me përvojën tonë 30 vjeçare dhe modelet e homologëve ndërkombëtar për të vazhduar si pjesë e denjë e organizatave të tyre," thuhet në deklaratën për shtyp të Urdhrit të Mjekëve.

Vendimi i qeverisë për ndryshimet në ligjin për “Urdhrin e Mjekut” erdhi pas daljes në dritë të skandalit me abuzimet ndaj klientëve në pavionin e spitalit Onkologjik në QSUT ku mjekët zhvasnin qytetarët të sëmurë me kancer duke mos u dhënë shërbimin e detyrueshëm por duke i orientuar drejt klinikave private që kishin në pronësi apo ishin të punësuar. Hetimet për dosjen u morën në dorë nga SPAK ndërsa deri më tani rezultojnë të përfshirë mjekët Edmond Gashi, Alketa Pere si dhe ish-nëndrejtoresha e QSUT, Brikena Qirjazi të cilët janë nën masën 'arrest shtëpie'. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: