
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot ndryshimet në ligjin për “Urdhrin e Mjekëve”, ndryshime të cilat do të mundësojnë që të mos ketë konflikt interesi mes punonjësve të shëndetësisë që përveç institucioneve publike, janë të punësuar edhe në klinika private.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se do të ketë një tavan të orëve të punës që një mjek që punon në sektor publik mund të angazhohet në klinikë private. Ndërsa theksoi ndalimin rreptësisht që një shef shërbimi të ketë apo të drejtojë një klinikë private.
“Ndryshimi për urdhrin e mjekëve , ka të bëjë me interesin primar të qytetarëve, garantimin e cilësisë së shërbimit për pacientët që i drejtohen strukturave publike. Theksoj atë angazhim që morëm për të balancuar interesin e qytetarëve për shmangien e konfliktit të interesit të mjekëve.
Ndryshimet që u miratuan sot në ligjin për urdhin e mjekëve konsistojnë në bërjen publike të informacionit për profesionistët që punojnë në strukturat publike sa i takon angazhimit të tyre në strukturat private. Do të ketë një tavan të orëve të punës për të cilat një mjek që punon në sektorin publik mund të angazhohet dhe të punojë në privat. Kemi bërë publike edhe masat ndaj profesionistëve që punojnë në sektorin publik”- u shpreh Koçiu teksa për shefat e shërbimeve theksoi “Ka një rregullim të kësaj pike, drejtuesit e kanë të ndaluar të kenë apo drejtojnë klinika private duke qenë të punësuar edhe në strukturat publike edhe në ato private”.
Ndryshimet në ligjin për “Urdhin e Mjekut” u njoftuan nga ministrja javë më parë pas shpërthimit të skandalit në spitalin Onkologjik ku mjekët nuk ofronin shërbimin për qytetarët duke i orientuar këta të fundit drejt klinikave private dhe farmacive ku një ilaç që duhej t’u ofrohej falas nga shteti blihej deri në 1200 euro.
Çështja i kaloi SPAK-ut për hetim pasi prokuroria e Tiranës shpalli moskompetencë. Ndërsa GJKKO më 24 korrik la në fuqi masat e vendosura nga gjykata e Tiranës, për mjekët dhe personat e tjerë të përfshirë në skandalin që ngjalli reagimin e qytetarëve të cilët organizuan disa protesta.
Masat ndaj personave të përfshirë:
Edmond Gashi, mjek pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të qëndrojë në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”
Emiljano Lela, koordinator pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” u la në masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
Alketa Ymeri(Pere), mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT, e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” u la në masën e sigurisë ““Detyrim Paraqitje”.
Brikena Qirjazi, zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik e akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” u la në masën e sigurisë ““Detyrim Paraqitje”.
Halil Gashi, i akuzuar për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave” u la në masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
Florian Marku i akuzuar për veprën penale të “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë” u la në masën “Arrest në shtëpi”.
Për Drilona Kishta për të cilën ishte vendosur masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje” e akuzuar për veprën penale “Shpërdorim Detyre” nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal pasi ajo ishte jashtë shtetit dhe është vendosur njoftim në kufi. Versus.al








