Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Elina Duni, do të nderohet me Çmimin Zviceran të Xhazit 2025, një nga vlerësimet më prestigjioze të muzikës xhaz në Zvicër. Ceremonia e ndarjes së çmimit do të mbahet më 28 qershor, gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit Ascona, ku Duni do të interpretojë edhe në një koncert të posaçëm.
Ky është një tjetër moment kulmor në karrierën e artistes shqiptare, e cila prej vitesh është e lidhur me shtëpinë diskografike të njohur ECM Records dhe ka qenë më parë fituese e Çmimit Zviceran të Muzikës në vitin 2017. Organizatorët e festivalit vlerësojnë Dunin për “aftësinë për të krijuar një gjuhë muzikore poetike dhe emocionale, që ndërthur me ndjeshmëri xhazin me muzikën tradicionale të atdheut të saj”.
Elina Duni lindi në Tiranë në vitin 1981, në një familje artistësh. Që në fëmijëri u ngjit në skenë duke interpretuar për radion dhe televizionin shqiptar. Pas ndryshimeve politike në vend, ajo u zhvendos në Gjenevë, ku nisi një rrugëtim të ri artistik, fillimisht me piano klasike dhe më pas në xhaz, duke studiuar në Universitetin e Arteve në Bernë me fokus në kompozim dhe improvizim.
Në bashkëpunim me pianistin Colin Vallon, kontrabasistin Patrice Moret dhe bateristin Norbert Pfammatter, Duni themeloi Kuartetin Elina Duni, i cili solli një qasje të veçantë muzikore që bashkon folklorin ballkanik me gjuhën e lirë të xhazit. Ajo ka publikuar albume të suksesshme si “Matanë Malit” dhe “Dallëndyshe”, ndërsa më vonë bashkëpunimi me kitaristin britanik Rob Luft solli projekte të tjera të vlerësuara si “Partir” (2018), “Lost Ships” (2020) dhe “A Time to Remember” (2023).
Çmimi Zviceran i Xhazit, i themeluar në vitin 2007, ka nderuar figura të shquara të muzikës si Orkestra Zvicerane e Xhazit, Christoph Grab dhe Othella Dallas. Sivjet, Festivali i Ascona-s zhvillohet nga 25 qershori deri më 5 korrik, dhe mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme të skenës xhaz në Evropë.








