ZANAT /

Zana, gruaja që flet me të vdekurit

Si parashikoi 10 vjeçe vdekjen e të atit dhe 8 vjet më vonë dhe të gjyshes. Mesazhet e çuditshme që merrte që 7 vjeçe nga “zëra”. Arratia e valltares së njohur në 1989 nga Shqipëria, peripecitë në Amerikë, derisa i foli engjëlli që i ndryshoi jetën

Shkruar nga Versus
Zana, gruaja që flet me të vdekurit
Zana Gjergji e njohur si Zana Paradise

“Të enjten vdes baba!!!”

Ishte vetëm 10 vjeçe e gjysmë, kur me padjallëzinë e fëmijës i kumtoi të ëmës gjëmën.

E enjtja e 21 shtatorit të 1978 erdhi bashkë me mortin, saktësisht siç vajza vogël kishte parathënë… Skenës së muzikës shqiptare i iku një zë i rrallë që kishte kënduar krah yjeve të muzikës qytetare shkodrane e shqiptare. Mortja mori Pjetër Gjergjin.

Zana, gruaja që flet me të vdekurit
Këngëtari Pjetër Gjergji

Në shtëpi veç dhimbjes së humbjes së papritur mbeti dhe çudia për çfarë kishte dalë nga goja vajza e shtëpisë, që e quanin Zanë...

“Bijë, bëhu ç’të duash, veç psiqike jo se më llahtarise...” i përgjërohej e ëma vogëlushes së saj të mbetur jetime...

As vetë e ëma me siguri nuk e kishte fare të qartë se çfarë po ndodhte me të bijën, e cila që prej moshës 7 vjeçare “sillte kumte” në shtëpi e jo vetëm...  

Zana, gruaja që flet me të vdekurit
Vitore e Hil Mosi

“Veç babait, kam parashikuar me ditë e orë të saktë dhe vdekjen e gjyshes sime në 31 mars të 1986, në orën 14.15. Gjyshja ime ishte gruaja e poetit e patriotit Hil Mosi, dhe 1 javë para se ajo të mbyllte sytë unë i thashë mamit që nëna vdes pas 7 ditësh në orën 14.15...Saktësisht ashtu ndodhi...” – thotë Zana, ndërsa tregon ekskluzivisht për “Versus.al” historinë e saj drithëruese, e me plot pikëpyetje...

NJE ZANE MES TE GJALLEVE E TE VDEKURVE   

Zana, gruaja që flet me të vdekurit
Zana, me grupin e valltareve

Ajo këmbëngul se që prej moshës 7-vjeçare merrte mesazhe të çuditshme. Engjëllore, i pëlqen t’i quajë Zana, gruaja që beson se ka lindur me dhunti mediumi.

“Unë kam lindur me një dhunti si medium. Që kur isha 7 vjeçe merrja mesazhe engjëllore mund të themi, mirëpo nuk dija si ta përdorja këtë dhunti, ndaj vetëm gëzohesha kur i tregoja mamasë parashikimet, sepse më vinin mesazhet në tru në dy forma: dëgjoja një zë brenda në kokë që jepte një mesazh, ose për shembull kur flisja me dikë njëkohësisht më vinte në tru vetëm për disa sekonda një mesazh tamam sikur shikoja vizualisht një reklamë. Isha e bindur për atë mesazh që dëgjoja ose shikoja që do më dilte në realitet dhe vetëm mburresha, sepse nuk dija çfarë të bëja tjetër me të.”

Por Zanën këto mesazhe shpesh e lidhin dhe me një botë që për ne të gjallët është mister: me të vdekurit.

Ajo thotë se arrin që të lidhet me ta në jetën tjetër dhe të përcjellë mesazhe konkrete... Për këtë asaj i mjafton një fotografi, emri e mbiemri. Dhe pastaj Zana para se të të përcjellë mesazhin nga “bota tjetër” mund të ‘bëjë me zemër’ duke të treguar detaje e sekrete që shpesh veç ti vetë i di dhe kurrë nuk i ke ndarë me asnjë.

Zana, prej gati 40 vitesh nuk jeton në Shqipëri, por “zani” i dëshmive të njerëzve që kanë kontaktuar nëpërmjet saj me të larguarit e tyre nga kjo botë, ka mbërritur deri në atdhe.

Zana, për zgjedhje personale nuk i ka shumë të shpeshta kontaktet me shqiptarët dhe punon në San Diego të Kalifornisë si mediume kryesisht me klientë amerikanë. Dhuntinë e aftësitë e saj, që për dikë mund të jenë paranormale, Zana e ka mbështetur edhe me studime që ka bërë në Amerikë, atje ku një zë engjëlli rrëfen se e dërgoi...

Por le të kthehemi prapë pas në historinë e saj njerezore...

DY ARRATITE 

Zana, gruaja që flet me të vdekurit

Zana nuk e ka parë rënien e komunizmit në Shqipëri. Pak muaj para se sistemi të dorëzohej përballë mërisë së qytetarëve, ajo u arratis së bashku me të shoqin nga atdheu.

“Unë jam arratisur me burrin e parë me 16 Shkurt të 1989 në Trebisht të Peshkopisë. Me shumë peripeci arritëm në Amerikë ku u gëzuam me një vajzë të quajtur Kristina. Por martesa ime filloi të “fuste ujë” me sherre, tradhti e pabesi, derisa ish-burri më la për shoqen e ngushtë. Mbeta nënë e vetme fillikat në mes të Nju Jorkut. Më duhej edhe të punoja dhe të kujdesesha për vajzën, e cila nuk ishte fort shëndetmirë asaj kohe dhe sëmurej herë pas herë. Të rrija disa ditë pa punë, ishte luks i tepërt në gjendjen financiare në të cilën ndodhesha, ndaj e dëshpëruar totalisht një natë ju luta Zotit të më tregonte se çfarë duhej të bëja të shpëtoja nga ajo situatë.”

Pak orë më vonë, një vegim i kall datën, por edhe i ndryshon jetën Zanës dhe së bijës...  

“Takimi me engjëllin tim ishte i frikshëm, sepse më erdhi pranë papritur. Mënyra si u paraqit më frikësoi në palcë. Engjëlli im mu shfaq si shpirt i ndritur dhe më tha shko në Californi, aty ku klima është normale dhe kërko Zotin në Institutin e Koshiences nivelin 43.. Unë e pyeta ku është Instituti? Ai mu përgjigj se do të ndihmonte për ta gjetur dhe... u zhduk. Dy ndjenja më shkonin në trup: frika deri në palcë dhe krenaria.

Mendoja: Zoti paska kujdes për mua!! Me këtë ide në kokë fillimisht shita mobiljet e apartamentit ku jetoja dhe me pak të ardhura në xhep u shpërngula në San Diego të Californisë, ku fillova punë si shitëse në një parfumeri, ndërsa pas një viti u bëra menaxhere.” – rrëfen Zana për Versus.al  

NE KERKIM TE NIVELIT 43...

Zana, gruaja që flet me të vdekurit

Ngjitur me shitoren ku shiste parfume dhe kremra për fytyrën ishte një librari dhe aty Zana rrëfen se kërkonte të gjente çdo informacion shpirtëror në lidhje me engjëjt.

“Shkurt, aty gjeta informacion si mund t’i rris apo praktikoj forcat mendore dhe ashtu fillova studimet e para ne Austin Texas Mind Research Institute, ku ju nënshtrova një provimi për të kuptuar limitin e aftësive të mia. Pas provimit lektorët më vlerësuan se isha në nivelin 12... “Ke rrugë të gjatë përpara, - më tha mentori im, - derisa të arrish në nivelin e 43....”

Pas kësaj fjalie, Zana, e cila edhe këtë provim e kishte dhënë duke kursyer para gjithë vitin, mpihet dhe i kërkon ta përsërisë se cili ishte niveli i fundit... Kur ridëgjon niveli 43 i Koshiencës, e kuptoi se kishte gjetur rrugën e saj

Pas Austin Texas Mind Research Institute, ajo kalon në një Institut më të përparuar që ndodhet në Faber Virgina të quajtur “The Monroe Institute”, aty ku ajo eshtë diplomuar në rreth 20 programe të ndërgjegjes dhe ku çdo program  kushton rreth 2500 dollarë amerikanë. Zana ka kaluar sukses të gjitha programet, ku siç thotë ajo studiohen dhe kalohen në lëkurë përmes shumw seancash 3 stadet e koshiencës.

Zana, gruaja që flet me të vdekurit

Prej 25 vitesh ajo e ushtron zanatin e saj si mediume, duk parashikuar të ardhmen, analizuar të sotmen e duke sjellë lajme e porosi nga bota e përtejme, ku sic duket se cili prej nesh ka engjëllin e tij mbrojtës. Kjo punë, sic thotë vetë ajo, kërkon disiplinë dhe ushtrime të përditshme. Tashmë Zana është e bindur se gjithçka ajo shikon e dëgjon vjen nga përtej, nga një botë që ajo pak kuriozitete ka pa zbuluar.

Zana, gruaja që flet me të vdekurit

ÇFARE KA PERTEJ...

“Të mirët shpesh i gjej bashkë dhe në botën tjetër, e cila është gjithë drita të vogla me shpirtrat. Kur shpirti del nga trupi dhe kalojmë në botën tjetër, shikojmë këto dritat e bukura dhe marrim mesazhe. Edhe kur vdesin faktikisht ne kthehemi në një orbitë të vogël që është 3 gram. Kur vdesin e kalojmë në botën tjetër, njerëzit e njohin njëri-tjetrin. Më ka ndodhru që kur kam praktikuar atë që në Institutin Monroe quhet “out of the body” (jashtë trupit) kam parë edhe shpirtra jomiqësor që kanë reaguar keq. Duhet ta mësosh vetën kur del në botë e shpirtrave,” – rrëfen Zana me një lehtësi çoroditëse për të gjallët. Shpirti ynë, varet se çfarë niveli përfundon pas vdekjes, por jo domosdoshmërisht jemi bashkë me familjarët tonë.

Zana sot është e mësuar të jetojë këtë botën e dyzuar, në “purgatorin” e saj, ku hyrja është 150 dollarë, ndërsa ty veç parave të duhet dhe një “dorë” me kuriozitet, ndonjë merak për të ikurit nga kjo botë, ndonjë peng e natyrisht edhe pak guxim për të hapur një derë që “dreqi e di” se çfarë ka pas...  / VERSUS.AL 

  

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: