
“Ka raste kur yjet thjesht bashkohen në mënyrë perfekte.” Kështu e përshkruan revista prestigjioze The Times bashkëpunimin mes këngëtares shqiptaro-zvicerane Elina Duni dhe kitaristit britanik Rob Luft në albumin e tyre më të ri “Reaching for the Moon”, të cilin gazeta britanike e ka përfshirë mes rekomandimeve muzikore të muajit maj.
Pikërisht me këtë projekt muzikor, Elina Duni do të ngjitet në skenën e Teatri i Kukullave më 12 dhe 13 maj, në dy mbrëmje koncertesh të veçanta në Tiranë. Në koncert do të marrë pjesë edhe shkrimtarja Bessa Myftiu, nëna e artistes së njohur, e cila do të interpretojë poezi dhe fragmente letrare gjatë performancës.

Sipas kritikës së “The Times”, albumi ndërtohet mbi “duete të thella dhe të bukura me atmosferë nate”, ku zëri i pastër i Elina Dunit ndërthuret me tingujt minimalistë të kitarës së Rob Luft-it. Projekti përfshin këngë në disa gjuhë, mes tyre shqip, italisht, anglisht, frëngjisht dhe farsi, duke krijuar një udhëtim muzikor që lëviz mes jazz-it modern dhe muzikës tradicionale.
Koncerti në Tiranë ka edhe një domethënie personale për artisten, pasi Teatri i Kukullave lidhet me kujtimet e fëmijërisë së saj. Tashmë, pas një karriere të konsoliduar ndërkombëtare, Elina Duni rikthehet në vendlindje si një nga emrat më të vlerësuar të jazz-it europian bashkëkohor.
Elina Duni ka ndërtuar prej vitesh një profil unik artistik në Europë, duke kombinuar jazz-in me elementë të folklorit shqiptar dhe ballkanik. Artistja bashkëpunon prej kohësh me label-in prestigjioz ECM Records, ndërsa “Reaching for the Moon” është albumi i saj i dymbëdhjetë dhe projekti i gjashtë me këtë kompani.
Pas koncerteve në Tiranë, Elina Duni do të vijojë turneun ndërkombëtar dhe më 18 korrik do të performojë edhe në Montreux Jazz Festival, një nga festivalet më prestigjioze të muzikës jazz në botë.

