
Një arritje që shkon përtej kufijve personalë dhe bëhet lajm për gjithë shqiptarët: Lea Ypi është zgjedhur anëtare e American Academy of Arts and Sciences, një prej institucioneve më prestigjioze akademike në botë.
Vetë Ypi e ka ndarë lajmin në rrjetet sociale me një mesazh që nuk është thjesht falënderues, por edhe thellësisht reflektues për kohën që po jetojmë.
“Jam thellësisht e nderuar dhe e lumtur,” shkruan ajo, duke shtuar se është veçanërisht e prekur që i bashkohet një komuniteti studiuesish dhe shkrimtarësh që kanë qenë “thelbësorë për formimin tim”.
Por ajo që e bën këtë reagim të veçantë është mesazhi i fortë që vjen më pas.
Ypi rikujton misionin e Akademisë që nga viti 1780, duke theksuar se ajo ekziston për të çuar përpara artet dhe shkencat në shërbim të “interesit, nderit, dinjitetit dhe lumturisë së një populli të lirë”.
“Ky mision nuk ka qenë kurrë më urgjent se sot,” shkruan ajo.
Në një kohë kur universitetet përballen me presione politike dhe ekonomike, kur liria akademike dhe vetë roli i dijes në shoqëri po sfidohen hapur, Ypi nuk i shmanget realitetit:
“Pavarësia e universiteteve, liria e mësimdhënies dhe kërkimit, si dhe roli i dijes në jetën publike po vihen në diskutim – madje edhe në Shtetet e Bashkuara.”
Për akademiken shqiptare, kjo zgjedhje nuk është thjesht një nder, por një përgjegjësi e madhe.
“E shoh këtë si një ftesë për të vazhduar mbrojtjen e Iluminizmit dhe për të ndarë përgjegjësinë në luftën kundër fanatizmit dhe dogmatizmit,” thekson ajo, ndërsa kthen këtë sukses personal në një moment reflektimi më të gjerë për rolin e dijes dhe të mendimit kritik në një botë gjithnjë e më të trazuar.

