ZANAT /

"U ktheva në shtëpinë ku më shkatërruan jetën" – Mesazhi rrëqethës i Vasfije Krasniqi Goodman

Pas më shumë se dy dekadash, gruaja që theu heshtjen për krimet seksuale të luftës rikthehet përballë vendit ku, në moshën 16-vjeçare, përjetoi një nga traumat më të rënda të luftës në Kosovë: përdhunimin nga serbët

Shkruar nga Versus

"U ktheva në shtëpinë ku më shkatërruan

"Sot vendosa të kthehem në një vend ku për vite të tëra nuk kam pasur forcë të shkel."

Me këto fjalë nis rrëfimi prekës i Vasfije Krasniqi Goodman, gruas që u bë simbol i guximit dhe i betejës për drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Vasfija tregon se është rikthyer pranë një prej shtëpive ku, si adoleshente 16-vjeçare, u përball me dhunën që do t'i ndryshonte jetën përgjithmonë.

"Shtëpia e parë nuk ekziston më. Por kjo shtëpi ende qëndron. Sot u afrova deri aty. Doja të hyja në dhomën ku ndodhi krimi, në dhomën ku mbetën të varrosura britmat, frika dhe pafuqia e një vajze të re. Nuk munda", shkruan ajo.

Për Vasfijen, ai nuk është thjesht një objekt apo një ndërtesë e zakonshme. Është vendi ku, sipas fjalëve të saj, iu mor pafajësia, siguria dhe një pjesë e shpirtit.

"Shkova sepse, pas kaq shumë vitesh, doja ta shihja me sytë e mi se ai vend ende ekziston, ndërsa unë ende po jetoj me atë që ndodhi brenda tij", shkruan ajo, duke e mbyllur mesazhin me fjalët: "Sot, më shumë se kurrë, zemra ime ndihet e thyer."

Gruaja që theu heshtjen

Historia e Vasfije Krasniqi Goodman ka një peshë të veçantë në historinë e Kosovës. Në vitin 2018, ajo u bë gruaja e parë në Kosovë që doli publikisht me emër dhe fytyrë për të treguar se ishte dhunuar seksualisht nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Për vite me radhë, mijëra gra dhe vajza që kishin përjetuar të njëjtin fat jetuan në heshtje, të rënduara nga trauma, stigma dhe frika. Dalja publike e Vasfijes u konsiderua një moment historik, pasi hapi një debat të gjerë shoqëror mbi krimet seksuale të luftës dhe nevojën për drejtësi për viktimat.

"U ktheva në shtëpinë ku më shkatërruan

Që prej asaj kohe, ajo është kthyer në një nga zërat më të fortë në mbrojtje të të mbijetuarave të dhunës seksuale, duke dëshmuar në institucione vendase dhe ndërkombëtare dhe duke kërkuar që krimet e kryera gjatë luftës të mos harrohen.

Postimi i saj i fundit është një kujtesë e dhimbshme se, edhe kur luftërat përfundojnë, plagët që ato lënë pas mund të vazhdojnë të jetojnë për dekada në kujtesën dhe jetën e viktimave.

Poll