ZANAT /

Linda Rama: Një rrëfim për sfidat, politikën, administraten dhe shoqërinë shqiptare

“Nga lavazhi i trurit tek ëndrrat për Perëndimin”, tranzicioni sipas Linda Ramës

Shkruar nga Versus

Linda Rama: Një rrëfim për sfidat, politikën, administraten

Në një intervistë të gjatë dhe të detajuar për “Euronews Albania”, Linda Rama, bashkëshortja e Kryeministrit Edi Rama, ndau reflektime të thella për jetën e saj profesionale, sfidat e tranzicionit pas rënies së komunizmit dhe qëndrimin e saj ndaj politikës aktive dhe rolit të grave në shoqëri.

Fillimet në administratën e tranzicionit

Linda Rama rrëfeu se karriera e saj filloi në vitin 1993 në Agjencinë Kombëtare të Privatizimit, një nga institucionet kyçe gjatë kalimit nga ekonomia e planifikuar në atë të tregut të lirë. Ajo e përshkroi atë periudhë si jashtëzakonisht sfiduese, por njëkohësisht edhe formuese për këndvështrimin e saj mbi realitetin shqiptar.

Në atë kohë, Rama tha se ishte pjesë e disa projekteve ndërkombëtare për vendet në tranzicion dhe fillimisht kishte një qasje teknike-ekonomike ndaj reformave. Megjithatë, përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me grupe interesi si të burgosur politikë, ish-pronarë, punonjës dhe investitorë të huaj e vendas, ajo kuptoi dimensionin njerëzor të reformës. “Hyra si ekonomiste, dola si dikush që mendonte për njerëzit,” u shpreh ajo.

Sipas saj, privatizimi i pronës shtetërore dhe ndarja e tokës ishin dy nga proceset më thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë, përtej sfidave të krizës së ushqimit apo rendit publik.

Tranzicioni dhe trashëgimia e së kaluarës

Linda Rama përshkroi situatën e viteve pas rënies së regjimit si një kohë e trazuar dhe e paqartë, ku njerëzit kërkonin ndryshimin, por nuk e dinin çfarë nënkuptonte ai në të vërtetë. Ajo theksoi ndikimin e thellë të lavazhit ideologjik të komunizmit, si dhe trashëgiminë negative nga Perandoria Osmane, që kishin lënë një shoqëri të pazhvilluar dhe të përçarë. Në këtë kontekst, ajo theksoi se shumë nga gabimet e bëra gjatë tranzicionit ishin të pashmangshme për shkak të mungesës së përvojës dhe modelit.

Refuzimi për të hyrë në politikën aktive

E pyetur nëse kishte menduar ndonjëherë të angazhohej në politikë, Rama tha se e kuptoi që herët se politika kërkon të jesh fituese, por se ajo zgjodhi një rrugë tjetër: kërkimin, këshillimin e pavarur dhe bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare. Ajo theksoi se ka më shumë ndikim përmes shoqërisë civile dhe fushës akademike, sesa do të kishte në skenën politike.

“E vlerësoj shumë këdo që merret me politikë, por mendoj se duhet bërë shumë për të merituar atë privilegj,” u shpreh ajo.

Ajo theksoi gjithashtu se shumë profesionistë të aftë në administratën publike nuk kanë pasur mundësinë për t’u përfaqësuar politikisht, ndonëse do të kishin qenë përfaqësues të denjë.

Për gratë në politikë dhe shoqëri

Në intervistë, Linda Rama ndau disa mesazhe të forta për gratë dhe vajzat shqiptare që aspirojnë të përfshihen në politikë, administratë apo akademi. Ajo theksoi rëndësinë e integritetit, dinjitetit dhe aftësisë për të përballuar konkurrencën.

Sipas saj, numri i grave në politikë nuk është i mjaftueshëm, nëse pas tij nuk qëndron profili i duhur dhe vlerat e duhura. Ajo kritikoi tendencat e disa grave për të kërkuar mbështetje vetëm mbi baza gjinore, duke theksuar se solidariteti gjinor duhet të bazohet në vlera, jo në interesa të përbashkëta.

Linda Rama u shpreh gjithashtu kundër ideve që gratë kanë të drejtë të sfidojnë rezultatet e zgjedhjeve vetëm pse janë gra, duke theksuar rëndësinë e respektimit të votës dhe rregullave demokratike. Ajo vlerësoi përparimin që Shqipëria ka bërë në përfaqësimin gjinor, por tha se shoqëria pret më shumë nga gratë: “Nëse një burrë jep energji, ne duhet të japim qindfish për t’u marrë seriozisht.”

 

Poll