Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako, zhvilluan pasditen e sotme një takim emergjent në Prefekturën e Lezhës pas situatës së përmbytjeve.
Vengu deklaroi para mediave se Bashkia e Kurbinit është më e prekura në rang vendi sa i përket problematikave që ka sjellë moti i keq.
“Janë 50 banesa të prekura në zonën e Mamurrasit dhe 40 të tjera në Milot, çfarë e bën zyrtarisht Bashkinë e Kurbinit, bashkinë më të prekur në rang vendi”, deklaroi ministri i Mbrojtjes.
Gjithashtu Vengu shpjegoi se autoritetet janë në gatishmëri për një front të dytë meteorologjik që pritet në orët në vijim.
Sipas tij, në disa zona vijojnë ndërhyrjet me fadroma dhe ekskavatorë. Në Zejmen të Lezhës katër familje janë evakuuar për shkak se banesat e tyre janë përmbytur pasi ndodhen nën nivelin e kanaleve kulluese.
“Në bashkitë e Qarkut të Lezhës janë angazhuar ekipe shtesë të Forcave të Armatosura. Një skuadre në bashkinë e Kurbinit i është bashkuar edhe ai i xheniove që do të ndihmojnë emergjencat vendore për tre ura që duhen rehabilituar. Qëllimi është që të mos ketë asnjë fshat të bllokuar”, sqaroi ministri i Mbrojtjes.
Vengu tha se po vëzhgohet situata në Ultësirën Perëndimore për t’i paraprirë çdo problematike.
