Ishte janari i vitit 2023 kur Cristiano Ronaldo u transferua në Arabinë Saudite, duke nënshkruar një kontratë me Al Nasr pas një lëvizjeje të diskutueshme nga Manchester United. Dy vite më vonë, asi portugez analizon rrugëtimin e tij, pa e fshehur lumturinë që i ofron jeta në Lindjen e Mesme.
“Jeta është e mirë, futbolli është i mirë. Por unë dua më shumë”, tha ai të premten në një intervistë për ligën e Arabisë Saudite (LPS), me rastin e përvjetorit të tij të dytë në Arabi.
Golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në futbollin ndërkombëtar, me 916 gola, pati një sezon të parë mbresëlënës me Al Nasr. Ai arriti të thyejë rekordin e golave të kompeticionit në një sezon të vetëm.
35 golat e tij në vetëm 31 ndeshje çuan në një tjetër Këpucë të Artë për karrierën e tij në sezonin 2023-24, pavarësisht se Al Nasr përfundoi i dyti pas rivalëve kryesorë Al Hilal, në të cilin luan Neymar.
Al Nasr është aktualisht i katërti, 11 pikë prapa liderit Al Ittihad, ku luan ish-bashkëlojtari i Real Madridit, Karim Benzema. Ronaldo, megjithatë, insiston në profesionalizëm dhe punë të palodhur.
“Është e vështirë të konkurrosh me ekipe si Al Hilal dhe Al Ittihad, por ne vazhdojmë të shtyjmë dhe luftojmë. Futbolli është i tillë (...) dhe për mua gjëja më e rëndësishme është të jesh profesionist, të punosh shumë, të respektosh klubin, të respektosh kontratën dhe të besosh se gjërat do të ndryshojnë. Al Nasr duhet të përpiqet të fitojë më shumë tituj”, tha portugezi.
Etja për fitore dhe tituj
Ronaldo, duke synuar gjithmonë titujt, nuk e fsheh përgjegjësinë që vjen me statusin e tij unik. “Kur fiton tituj, gjërat bëhen më të lehta. Të fitoja titullin tim të parë (si golashënuesi më i mirë i Kampionatit Arab për Klube) në vitin tim të parë këtu ishte e pabesueshme. Por unë dua më shumë. Do të vazhdoj të përpiqem të ndihmoj Al Nasr të fitojë tituj. Dua të fitoj Ligën e Kampionëve Aziatik për klubin”, nënvizoi ai.
Lavdërime të larta për ligën saudite
Ronaldo, i cili në Globe Soccer Awards në Dubai më 27 dhjetor 2023 e kishte quajtur ligën saudite një nga më të mirat në botë, përsëriti admirimin e tij për konkurrencën në rritje.
“Jam i nderuar që liga po rritet dhe që shumë yje po vijnë për ta përmirësuar dhe për ta bërë më konkurruese. Të jesh i pari, le të themi ylli i madh, të vish këtu është një nder, por ajo që pres është zhvillimi i ligës në 5-10 vitet e ardhshme, jo vetëm për skuadrat më të mira, por edhe për akademitë. theksoi.







