
Tiranë- Gjykata e Lartë ka rrëzuar sot (24 maj) rekursin e Jamarbër Malltezit për masën e sigurisë “arrest në shtëpi” të vendosur nga gjyqtarja e Apelit të GJKKO, Iliriana Olldashi më 21 nëntor të vitit 2023.
Më herët e njëjta kërkesë e Jamarbër Malltezit, për shuarje të masës së sigurisë, është rrëzuar edhe nga Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Jamarbër Malltezi dhe ish-kryeministri Sali Berisha, prej muajsh ndodhen në masën “arrest shtëpie” si persona nën hetim për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim dhe pastrim të produkteve penale për të njëjtën dosje hetimore.







