AKTUALITET /

TERRORIZEM NË ONKOLOGJIK? / Si u ‘vranë’ 1050 shqiptarë për 3 pajisje

Mbi 600 pacientë me kancer malinj nuk morën shërbimin e brakiterapisë, mbi 200 paciente nuk bënë dot trajtimin radioterapik me ortovoltazh dhe mbi 250 pacientë të sëmurë më kancer të fytit dhe kokës u “bënë kurban”, sepse nuk kishte pajisje për t’i mbrojtur nga rrezatimi radioaktiv… Në total 1050 pacientë nuk morën dot trajtim radioterapeutik nga 2020 - 2022… Raporti tronditës i KLSH-së për Spitalin Onkologjik

Shkruar nga Versus

TERRORIZEM NË ONKOLOGJIK? / Si u ‘vranë’ 1050

Jonuz B. ishte 57 vjeç kur u diagnostikua me kancer në bazën e gjuhës. Pas trajtimit në një spital privat dhe më pas në Itali, fundi u bë i pashmangshëm. Ish-inxhinierit, që kishte paguar 30 VITE KONTRIBUTE në sigurimet shëndetësore e shoqërore, ATDHEU i dha veç 1 SEANCË KIMIOTERAPIE FALAS.

Të dytë nuk pati FALAS për të.

As i pari e as i fundit, mes pacientëve paliativ që nëse s'do ishin familjarët, lihen të vdesin mes dhimbjesh dhe pa dinjitet për mënyrën sesi trajtohen në ditët e fundit mbi tokë.

Por të “shumtët” nuk kanë gojë, kurse të gjallët s’duhet të harrojnë…

Jonuz B. është veç njëri prej qindra pacientëve që në verën e vitit 2022 NUK morën shërbimin e duhur nga spitali Onkologjik, duke jua afruar “bujarisht” fundin e tmerrshëm.

Tani, mbyllni sytë dhe numëroni deri në 1050. Një... dy... tre…shtatë… dhjetë… tridhjetë …

Hë e latë, u lodhët? E ndërsa ju me shumë gjasë u lodhët tek nr 7, në spitalin Onkologjik, NUK janë lodhur duke “përcjellë” pa shërbim e pa trajtim rreth 1050 pacientë në vitet 2020-2022.

Të paktën kështu thotë një raport i KLSH-së, që zoti e di pse është lënë “përgjysëm”, kur asnjë prej të dhënave shokuese të nxjerra nga vetë ai, nuk kanë përbërë shqetësim për “ti ulëritur” QSUT-së, Ministrisë së Shëndetësisë, Kryeministrisë apo Prokurorisë. Si mund të konstatohet që mbi 1000 shqiptarëve nuk i është dhënë shërbim jetik mjekësor, duke mos vënë aparatura radioterapie në përdorim, dhe të mbyllësh sytë?! 

TERRORIZEM NË ONKOLOGJIK? / Si u ‘vranë’ 1050
Raporti i KLSH-se

 

1050 shqiptarë janë shumë, janë tmerr shumë për të vdekur në dyer spitalesh, pa ju dhënë ‘armët’ e fundit për të luftuar sëmundjen, apo dhe për t’ju shtuar qoftë edhe një ditë me diell mbi tokë mes të dashurve të zemrës.

Tani, mbyllni sytë dhe njëherë dhe mendoni shtëpinë, rrugën, lagjen tuaj, ose mendoni ato 1000 njerëz që keni njohur në këtë jetë. Mendo (larg qoftë) se tani të gjithë ju u zhdukët; një terrorist, ju bëri shtëpinë, rrugën, lagjen, jetën, shkrumb e hi, me një gisht, një buton dhe ju thjesht bëheni ushqim për krimba…  

Pothuajse kaq e thjeshtë është dhe ajo që ndodh me një firmë apo disa firma, kjo që është ndodh kur më veprim ose mosveprim nga shumë hallka zyrtare mbeten mbi 1050 pacientë pa shërbim vetëm për 2 aparatura; brakiterapia që ju mohua mbi 600 pacientëve, ortovoltazhi që ju mohua 200 pacientëve dhe 250 pacientë të tjerë të diagnostikuar më kancer të kokës dhe qafës nuk morën dot trajtim me radioterapi, sepse strukturat shtëtërore dështuan në sigurimin e maskave termo plastike.

Dhe shifra e bërë publike nga KLSH-ja e mbi 1050 pacientëve që i dënoi “shteti” me vdekje, janë pa llogaritur ato ditëzinj që nuk morën sasinë e cilësinë e duhur të kemioterapisë, “sepse ilaçet duhet të shkojnë tek privatët”, siç po del nga hetimet e fundit të prokurorisë.  

TERRORIZEM NË ONKOLOGJIK? / Si u ‘vranë’ 1050
Pacientë e familjarë jashtë Onkologjikut

POR LE TA NISIN NGA FILLIMI…

A e dini që në Shqipëri çdo vit ka rreth 6000 diagnostikime të reja me kancer

Por a e dini sesa shtretër dhe mjekë ka spitali?

Mbani frymën… Sipas raportit të KLSH-së të bërë publik vjet, Poli i Administrimit të Integruar të Spitalit Onkologjik ka 79 shtretër, 24 mjekë onkologë dhe 33 infermierë, dhe ky pol përbëhet nga pavionet e kirurgjisë (ku operohet gjiri, zorra e trashë dhe rektumi, indet e buta dhe kocka, testet, lëkura dhe melanoma), nga pavioni i radioterapisë, kimioterapisë, anatomisë patologjike, si dhe radiologjisë diagnostike. Pra ka mesatarisht 1 mjek për 250 të sëmurë ka Spitali Onkologjik dhe mesatarisht 1 shtrat për 81 pacientë!!

Sipas KLSH-së, stafi mjekësor i Spitalit Onkologjik prej 24 mjekësh onkologë (55 në gjithë Shqipërinë), në ditë përballon mesatarisht 108 vizita konsulta, trajton 75-80 pacientë me kimioterapi dhe 22 pacientë me radioterapi (këtu nuk janë përfshirë ndërhyrjet kirurgjikale, urgjenca dhe mjekët roje çdo ditë). Sipas OBSH-së dhe standardeve të saj, 1 mjek duhet të ofrojnë shërbim për 10 – 15 pacientë në ditë, por nëse bën një mesatare të volumit ditor të punës mjekëve të onkologjikut ju bien më pak se 9 pacientë në ditë…

TERRORIZEM NË ONKOLOGJIK? / Si u ‘vranë’ 1050
Pjese nga raporti i KLSH-se

KIMIOTERAPIA

Njësia e Kimioterapisë, po sipas të njejtit raport kontrolli të bërë për vitet 2020-2023, mbulon dhe përballon çdo vit nga 1202-1361 pacientë në vit ose mesatarisht 75-80 pacientë në ditë. Në kohën e auditimit kjo njesi ka patur vetëm 9 mjekë e 19 poltronë “shtretër virtual”, që përdoren në ditë nga 4 deri në 5 pacientë. Pavarësisht rritjes së numrit të të prekurve nga patologjitë malinje, Spitali Onkologjik thotë KLSH-ja nuk ka rritur numrin e këtyre poltronave.

TERRORIZEM NË ONKOLOGJIK? / Si u ‘vranë’ 1050

Me vite kërkesat e Onkologjikut për shtimin edhe të të paktën 10 poltronëve kanë rënë në vesh të shurdhët.

RADIOTERAPIA

Shërbimi i Radioterapisë është i centralizuar vetëm në Spitalin Onkologjik në QSUNT, për rrjedhojë të gjithë pacientët nga e gjithë Shqipëria, që kanë nevojë për radioterapi, duhet të marrin këtë shërbim antitumoralë në Tiranë. Për periudhën në auditim nga KLSH-ja 2020-2022, kapacitet trajtuese në shërbimin e radioterapisë trajtojnë nga 900 deri në 1450 pacientë në vit, me një ngarkesë mesatare prej 100-120 pacientë në muaj ose 5 deri në 6 pacientë në ditë.

TERRORIZEM NË ONKOLOGJIK? / Si u ‘vranë’ 1050
Pjesë nga raporti i KLSH-se

Në raportin e bërë publik nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ka një detaj rrëngjethës. Aty thuhet: “Shërbimi i radioterapisë trajton rreth 90% të pacientëve me sëmundje tumorale" dhe ndërkohë që në vend shtohen çdo vit gati 6000 raste, si ka mundësi që shërbimi ju ofrohet vetëm 1500 personave? Po 3500 shqiptarë të tjerë nga kjo 90% ku shkojnë; në privat, jashtë apo thjeshtë ju mbyllen dyert në surrat dhe dërgohen për të pritur fundin në shtëpi? Pra, më shumë se dyfishi i nevojave për radioterapi nuk qenka plotësuar deri në 2022…

Dhe ajo që është ulëritëse:

TERRORIZEM NË ONKOLOGJIK? / Si u ‘vranë’ 1050
Pjese nga raporti i KLSH-se

E para. “Konstatohet se numri i rasteve të trajtuara pranë shërbimit të radioterapisë, mbështetet në 4 pajisje kryesore, nga të cilat Brakiterapia nuk është funksionale për gjatë gjithë periudhës së auditimit, ndërsa Ortovoltazhi nuk funksionon që prej datës 02.11.2022.”

“Mungesa e Brankiterapisë, për periudhën e auditimit (2020-2022), ka sjellë mos trajtimin e 200 pacienteve në vit ose 600 gra paciente nuk e kanë marrë këtë shërbim me radioterapi, duke përbërë faktor risku për shëndetin e tyre” – thuhet në raport.

"Kërkesa për vendosjen dhe bërjen funksionale të aparatit të Brankiterapisë ka qenë dhe është prioritet i Shërbimit Onkologjik, i cili në mënyrë të vazhdueshme i është drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të QSUNT për sigurimin e saj"- theksohet në raportin e KLSh-së

E dyta. Pajisja mjekësore tjetër që nuk është funksionale prej datës 02.11.2022 është Ortovoltazhi, për shkak të një defekti serioz që nuk lejon trajtimin e pacientëve që vuajnë nga tumoret e lëkurës (Melanoma) (karcinomave me qeliza bazale dhe skuamoze, Lentigo malinje, sarkoma kaposi, Limfomat me qeliza T, Karcinoma me qeliza bazale merkel, Tumoret e gjëndrave të djersës, tumori i buzës, etj.)

Mungesa e aparatit të Ortovoltazhit që prej datës 02.11.2022, ka sjellë mostrajtimin 200 pacientëve nuk e kanë marrë këtë shërbim me radioterapi, duke përbërë faktor risku për shëndetin e tyre.

Nga PAI- Spitali Onkologjik, në mënyrë të vazhdueshme është bërë prezent shqetësimi pranë DP të QSUNT, që pajisja e Ortovoltazhit është amortizuar prej vitit 2020, me arsyetimin se ”Aparati i Ortovoltazhit në Njësinë e Radioterapisë është i instaluar në vitin 2002. Ky aparat ka 20 vite që përdoret për trajtimin e tumoreve sipërfaqësore të lëkurës. Filtrat e aluminit janë të oksiduara, koka e aparatit nuk qëndron në gjendje fikse gjatë trajtimit për shkak të dëmtimit të frenave që e mbajnë kokën të palëvizshme, e për pasojë lëvizja e pakontrolluar e kokës gjatë procesit të trajtimit, nuk jep rezultatin dhe saktësinë e duhur të trajtimit. Ky aparat është pa mirëmbajtje prej 7-8 vitesh, gjë që ka ndikuar mjaft në performancë dhe në cilësinë e funksionimit të aparaturës. Jetëgjatësia e një aparati në Radioterapi sipas rekomandimeve ndërkombëtare të OKB dhe IAEA-së duhet të jetë 10-15 vite”, - thuhet mes të tjerave në raport

E ndërkohë që 200 pacientë më kancer nuk morën dot trajtim me pajisjen e Ortovoltazhit, në ambientet e Njësisë së Radioterapisë, më datë 25.01.2023 ka mbërritur aparatura e re e Ortovoltazhit 8 (tetë) kuti me përmasa të ndryshme e ilustruar me foton e mëposhtme, donacion nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) (ANEA).

TERRORIZEM NË ONKOLOGJIK? / Si u ‘vranë’ 1050
Pajisja e Ortovoltazhit e paketuar

Grupi i auditimit verifikoi prezencën e tyre, pranë ambienteve në PAI-Onkologjisë, por vjet ky aparat nuk ishte instaluar akoma dhe nuk është funksional kur u bë kontrolli i KLSH-së

E treta. Drejtoria e Përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza” nuk ka arritur në kohë, sigurimin e elementëve (Tubusa, Pompa dhe Maska termo plastike) duke mos ofruar shërbim për 250 pacientë me shërbim radioterapi në Spitalin Onkologjik.

Dy fjalë …

A janë VETËM mjekët nën hetim dhe koordinatori i Onkologjikut fajtorë për gjithë këtë?

A janë 2 mjekë, 1 koordinator dhe disa privatë që gjejnë “shesh e bëjnë përshesh”, autorët e kësaj masakre?!?!

Kush po mbrohet, duke i hedhur këto të 7 nën hetim, si “ushqim” të mllefit të kolektiv dhe juridik?!

Spitali Onkologjik ka patur e ka drejtues, QSUT ka patur e ka drejtues, Ministria e Shëndetësisë ka patur e ka drejtues, kryeministria po ashtu…

A është “dënimi me vdekje” i 1050 shqiptarëve për pak muaj krim institucional, apo individual? A është terrorizëm shëndetësor e shtetëror?  A është genocid? A ka justifikim që shpjegon gjithë këtë? Kush ka patur përgjigjësi dhe të drejtë firme në gjithë këtë histori, a thua duhet ta lexojë këtë shënim nga kolltuku i zyrës apo divani i shtëpisë…?  

VERSUS.AL

 

Poll