Një 41 vjeçare nga Graçanica në Kosovë humbi jetën mëngjesin e së premtes në spitalin e Prishtinës, si pasojë e dhunës që kishte pësuar nga bashkëshorti i saj disa ditë më parë.
Gruaja që u identifikua me inicialet M.Zh. nga fshati Gushtericë e Poshtme e komunës së Graçanicës, ndërroi jetë në spital ku ishte dërguar me plagë të rënda në kokë.
Bashkëshorti i saj aktualisht ndodhet pas hekurave dhe gjykata i caktoi masën e paraburgimit për një muaj.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u shpreh e tronditur me lajmin për vdekjen e gruas së rrahur nga bashkëshorti.
“Rastet e dhunës dhe vrasjet e grave janë realiteti i frikshëm dhe i papranueshëm dhe po angazhohemi në vazhdimësi që të ngremë vetëdijen shoqërore me qëllim të parandalimit të rasteve të dhunës dhe femicidit dhe që dhunuesit dhe vrasësit e grave të marrin dënimet maksimale”, shkroi ministrja Haxhiu në Facebook.
Ky është rasti i tretë i vrasjes së grave në Kosovë gjatë këtij viti.







