Mes 10 personave të arrestuar për narkotrafik nga Amerika Latine- Shqipëria - drejt BE-së rezulton të jetë dhe shtetasi Baki Huqi. Ky i fundit mësohet se edhe më herët ka qenë kontigjent i njohur nga policia e drejtësia. Huqi rezulton i arrestuar më parë dhe ndaj tij ka patur dhe akuza për vepra të rënda penale. Rreth 11 vite më parë, në shtator të 2013, ai u arrestua për një vrasje të ndodhur në fshatin Radë të Durrësit, ku viktimë pati mbetur Festim Lama.
Në momentin e përfshirjes në krimin e rëndë Huqi ka qenë rreth 46 vjeç, ndërkohë që sot, në moshën 57-vjeçare ndaj tij priten që të ngrihen akuza mjaft të rënda për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
NGJARJA NE 2013 DHE RAPORTIMI I SAJ NE MEDIA
Arrestohen tre autorët e dyshuar për vrasjen në një disko të fshatit Radë të 28-vjeçarit Festim Lama. Policia e Durrësit bëri të ditur mbrëmjen e djeshme se pas një pune intensive të forcave të saj u arrit në zbulimin dhe prangosjen e autorëve të krimit të së dielës. Rreth orës 22:00 u vunë në pranga tre të akuzuarit: Alfred Gjoka, 31 vjeç, Baki Huqi, 46 vjeç, i dënuar më parë për vrasje, si dhe 34-vjeçari Erian Muharremi, të tre banorë të Manzës. Sipas Policisë, nga provat dhe dëshmitë e mbledhura për krimin që ndodhi të dielën në mbrëmje në një lokal me muzikë në zonën bregdetare, u arrit të zbardhej identiteti i autorëve. Ata akuzohen se pas një sherri të lindur mes 3 autorëve dhe viktimës, i cili shoqërohej nga persona të tjerë, Lama u qëllua me armë zjarri. Në vend u gjet një numër i madh gëzhojash, ndonëse Festim Lama ndërroi jetë nga një plumb në kokë. Dëshmitarët në vendngjarje thanë për policinë se sherri lindi për një balerinë të lokalit. Pas grindjes me fjalë janë nxjerrë armët e zjarrit dhe është qëlluar në drejtim të Lames dhe njerëzve të tij. Policia tha se në vend janë gjetur dy palë gëzhojash të armëve të zjarrit.







