Sot shënohen plot 17 vite nga masakra e Gërdecit e ndodhur më 15 mars të 2008-ës, kur 26 persona humbën jetën dhe 300 të tjerë u plagosën si pasojë e shpërthimit në fabrikën e demontimit të armëve.
Të pandehurit të cilët u çuan në gjykatë asokohe, sot janë liruar nga burgu dhe ende sot nuk është vënë drejtësi. Gjykata e Posaçme po heton çështjen për akuza të rënda “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “pastrim parash”, ndërsa ka marrë të pandehur ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediun.
Ky i fundit vazhdimisht e ka cilësuar hetimin e kësaj ngjarje si tentativë për goditjen e tij nga kundërshtarët politikë dhe mohon përgjegjësinë e tij si ministër i Mbrojtjes në procesin e demontimit të armëve.
Më 4 mars, GJKKO vendosi të shtynte sërish seancën duke caktuar datën 18 mars. Ndërsa në seancën e fundit, ish-ministri kundërshtoi gjetjet e ekspertëve ushtarakë lidhur me masat që duheshin ndërmarrë për demontimin e municioneve në Gërdec. Sipas tij, ky akt nuk ka të bënë me detyrën ligjore të ministrit.
"Sot ishim në debatin rreth aktit të ekspertimit ushtarak dhe pasi filluam. Për arsye objektive, SPAK kërkoi shtyrjen e seancës se kishin çështje të tjera ligjore që u tejkaloi afati dhe u la në një seancë tjetër në 18. Akti s’ka të bëjë me detyrat ligjore të ministrit, detyrat funksionale, por në seancat më tej unë do eci përgjigje më përgjigje për të bërë komente e mia rreth çështjes", tha Fatmir Mediu.
Zamira Durda, një prej grave që humbi djalin 7 vjeçar në shpërthimin tragjik, vazhdimisht ka rendur dyerve të gjykatave duke kërkuar drejtësi dhe duke akuzuar të gjithë zinxhirin shtetëror të asaj kohe për ngjarjen e rëndë.
Për çështjen “Gërdeci” u shpallën fajtorë 21 nga 29 të akuzuarit – disa prej tyre u dënuan në mungesë – por shumica e dënimeve u lehtësuan apo pezulluan në vitet më pas.
Të dënuarit si përgjegjës kryesorë:
Ylli Pinari, 18 vite burg – Ish-drejtor i kompanisë shtetërore “Military Export Import Company (MEICO)”, nën varësi të Ministrisës ë Mbrojtjes, përgjegjëse për demontim dhe import-eksporte municionesh.
Dritan Minxolli, 18 vite burg – Administrator i kompanisë “Albdemil” ku kryhej demontimi në Gërdec.
Mihal Delijorgji, 10 vite burg – Nënkontraktues i kompanisë amerikane SAC, e cila ishte kontraktuar nga MEICO, pronar i kompanisë “Albdemil” ku kryhej demontimi në Gërdec.
Sokol Ngjeci, 10 vite burg – Mbikëqyrës i punës, zyrtar i kompanisë MEICO.
Luan Hoxha, 5 vite burg – Ish-Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, dënuar në mungesë, larguar në SHBA në vitin 2012, ka fituar azil politik.
Të dënuarit e mësipërm janë aktualisht të lirë. Ata përfituan nga shkurtimi i dënimit në Apel, përllogaritja e ditëve të paraburgimit dhe ulja më vonë e dënimit për “sjellje të mirë”. Versus.al







