AKTUALITET /

23-vjeçari ndërroi jetë tetë ditë pas aksidentit, familjarët çojnë në prokurori mjekët: E neglizhuan

Shkruar nga Versus
23-vjeçari ndërroi jetë tetë ditë pas aksidentit,
Albert Togu

Tetë ditë pas aksidentit të ndodhur më 19 janar në autostradën Milot–Mamurras, pranë fshatit Gjorm në Kurbin, ndërroi jetë 23 vjeçari Albert Togu.

Albert Togu që drejtonte mjetin tip “Audi”, nuk ka arritur tu mbijetonte plagëve të marra.

Albion Mamli dhe Romario Alija të cilët ishin pasagjerë ndodhen të shtruar në spital nën kujdesin e mjekëve.

Familjarët e 23 vjeçarit kanë kallëzuar në Prokurori mjekët e Spitalit të Traumës, duke i bërë përgjegjës për vdekjen e tij.

Babai i viktimës, Kujtim Togu, ka deklaruar për mediat se djali i tij ka humbur jetën si pasojë e neglizhencës mjekësore dhe se ende nuk është kryer autopsia.

Ai tregoi se Mjekësia Ligjore nuk mund të realizojë autopsinë pa kartelën mjekësore të të ndjerit, e cila nuk është lëshuar ende nga Spitali i Traumës.

“Kam bërë kallëzim në Prokurori sepse djali im ka ndërruar jetë nga neglizhenca e mjekëve. Ata thonë se ka pësuar trombozë në zorrën e trashë, ndërsa gjatë operacionit kanë konstatuar se pankreasi ishte i ënjtur dhe i skuqur.

Djali ishte i vetëdijshëm dhe ata nuk e kanë kuptuar në kohë gjendjen e tij. Organizmi u helmua dhe e kuptuan vetëm kur ishte tepër vonë,” deklaroi Kujtim Togu./Versus.al

Poll