Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dhënë sot pretencën për grupin kriminal që transportonte sende të vjedhura në Francë duke i futur kontrabandë në Shqipëri. Për 9 persona është dënimi me burg i kërkuar në total është 90 vite. Grupi kriminal ka përdorur 2.8 mln euro, prej të cilave 2.1 mln euro “cash” për të blerë mall të vjedhur në Francë dhe për ta shitur në Shqipëri.
I pandehur si pjesë e grupit kriminal është edhe Sokol Idrizaj, ish-shoferi i drejtorit të përgjithshëm të policisë, Ardi Veliu. Për idrizajn është kërkuar dënimi me 12 vite burg, njëjtë edhe për bashkëshorten e tij Elda Idrizaj. Për djalin e tij, Egi Idrizaj është kërkuar 10 vite burg, ndërsa për vajzën Bora Idrizaj, 6 vite burg. Nëse pretenca miratohet nga Gjykata e Posaçme, të pandehurit përfitojnë zbritjen e një të tretës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Grupi kriminal, dërgonte para në Francë për të blerë mallra të vjedhura si bizhuteri dhe sende të tjera të çmuara dhe më pas i fusnin në Shqipëri fshehurazi dhe i shisnin në mënyrë kontrabandë përmes argjendarisë së Vangush Kasharës në Tiranë. Për këtë të fundit është kërkuar 6 vite burg. Ndërsa për të tjerët, Agusin Mesuli, Altin Doda është kërkuar dënimi me nga 12 vite burg. Për Florian Bakun dhe Tomor Barutin u kërkua dënimi me nga 6 vite burg.
Për Gentian Agën dhe Alid Shehin u ndaj procedimi dhe po gjykohen në process të zakonshëm. Më 19 nëntor merret vendimi nga Gjykata e Posaçme lidhur me pretencën e dhënë nga SPAK. Versus.al







