
Tiranë- Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur gjatë orës 02:00 të mëngjesit të sotëm pranë rrugës që lidh kryeqytetin me Durrësin, ku dy persona hapën zjarr ndaj “CFO Pharma”.
Autorët kanë qëlluar me 34 plumba drejt godinës, ndërsa dyshohet se kemi të bëjmë me një plan të mirëmenduar. Njëri prej tyre ka bërë rolin e shoferit, ndërsa tjetri ka hapur zjarr drejt fasadës së godinës dhe më pas janë larguar në drejtim të Vorës.
Një detaj i rëndësishëm është fakti se autorët kanë hapur zjarr drejt katit të fundit të godinës dhe grupi hetimor dyshon se kjo mund të ketë qenë një mesazh paralajmërimi i tyre duke shmangur mundësinë e viktimave.
Pavarësisht se ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit, policia njofton se është lajmëruar në orën 08:10, pra 6 orë pas të shtënave me armë. Autorët kanë patur gjithë kohën e mundshme për t’u larguar dhe për të humbur gjurmët.
Përndryshe kompania CFO Pharma u cilësua nga bashkia Tiranë në 2017-ën si “biznesi i vitit” dhe shpesh herë ka përfituar transaksione me vlerë miliarda lekë për shërbimin në sektorin shëndetësor. Në korrik të 2024-ës, kompania u përjashtua nga tenderat për 6 muaj pasi u zbulua se kishte kryer mashtrim në dokumentacionin e dorëzuar për t’u kualifikuar në tendera publikë.
Pronari i kompanisë, Nadir Çausholli njihet si person me probleme me drejtësinë pasi në 2015-ën u arrestua për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh. Versus.al







