
Të premten ministri i Brendshëm Ervin Hoxha do t’i dorëzojë kryeministrit Edi Rama emrin e propozuar në krye të drejtorisë së Policisë së Shtetit, emër që do të përzgjidhet nga komisioni i posaçëm që ka shqyrtuar kërkesat e kandidatëve.
Në total, kanë qenë 15 aplikime për postin e kreut të policisë, ndërsa dje u bë me dije se 4 prej tyre janë skualifikuar, përkatësisht Shemsi Premçi, Ibrahim Disha, Sami Rasha dhe Hajrulla Xhivini. Ky i fundit u kthye në temë diskutimi në raportimin e ministrit të Brendshëm në komisionin e Sigurisë ku deputeët demokratë ironizuan faktin se Xhivini ishte shpallur në kërkim nga krimi kibernetik dhe ishte personazh i njohur TikTok-u edhe pse më parë ka qenë pjesëtar i akademisë së sigurisë.
Ndërkohë në garë për drejtorin e përgjithshëm janë kandidaturat e Adriatik Tafçiut, Altin Menës, Ardian Çipës, Lutfi Minxhozit, Gentjan Shehajt, Idajet Faskajt, Ilir Prodës, Skënder Hitës, Neritan Nallbatit, Pëllumb Seferit dhe Rebani Jaupit.
Aktualisht në krye të policisë qëndron Sokol Bizhga i cili mori postin si zëvendës i Muhamet Rrumbullakut, pas dorëheqjes së këtij të fundit për shpeshtimin e ngjarjeve kriminale të ndodhura në vend. Versus.al







