
Në komisionin e Sigurisë po mbahet sot seanca dëgjimore me ministrin e ri të Brendshëm Ervin Hoxha i cili raportoi për ngjarjet kriminale në vend të ndodhura së fundmi, duke bërë me dije se numri i të arrestuarve është 40% më i lartë krahasuar me një vit më parë.
Nuk munguan debatet mes deputetëve socialistë e demokratë, pasi këta të fundit i kërkuan kryetarit të komisionit Nasip Naço që të mos ndërhyjë në mbledhje. Nga ana tjetër, deputetët e PS e lavdëruan faktin që sipas tyre, ministri i ri i Brendshëm është paraqitur në komision në kohë rekord brenda kërkesës së bërë nga deputetët.
Ndërsa Salianji pretendoi se ministri Hoxha shprehu në fjalën e tij pakënaqësinë për punën e bërë nga paraardhësit e tij Taulant Balla, Blendi Çuçi dhe Fatmir Xhafaj.
Gjatë fjalës së tij teksa foli për kandidatët për drejtor të policisë së shtetit, Salianji kritikoi Hoxhën për faktin që një “Tiktoker” Hajrulla Xhivini i shpallur në kërkim për krim kibernetik ka aplikuar për postin e kreut të policisë.
“Me thuajse 12 mijë punonjës nuk e gjeni ju personin në kërkim, vjen ai ju aplikon për drejtor të policisë së shtetit. Kjo nuk ndodh as në vendet e botës së tretë. Ku e dini ju që do ketë gjeneratë të re të policisë së shtetit, kur ende nuk ka aplikime të dorëzuara”- argumentoi Salianji.
Pjesë nga debati:
Noka: Kemi kërkuar seancë dëgjimore me ministrin dhe jo me kryetarin e komisionit të sigurisë. Bëj drejtuesin dhe menaxhuesin por jo suflerin e çdo deputeti që flet. Ministri përgjigjet vetë nuk ka nevojë për sufler. Mos u përpiq të mbulosh situatën ku është zhytur policia dhe rendi me zhurmë dhe sherrnaja artificiale që kërkon të krijosh.
Naço: Ju lutem të bëheni të gjithë deputetë euroatlantikë, të mos jemi afrikanë por të jemi deputetë europianë.
Noka: Unë e di që je mbështetës i traktatit të Varshavës por…
Qefalia: Më tregoni një ministër që ka zbatuar këtë kohë rekord, ka ardhur brenda 7 ditëve pas kërkesës së deputetëve. Kryetar të lutem mbaj balancën, pyetje andej pyetje këtej.
Naco: Ju lutem bëhuni deputetë euroatlantikë
Salianji: Faleminderit kryetar, e di se në situatën e vështirë politike që ju ka future kryetari mund të mbani një derë hapur edhe për eurodeputeë atlantikë
Naço: Lëri këto po shikoni ballkonin atje.
Salianji: Këtu nuk është party, nuk vihet për qejf. Vihet me detyrim dhe nuk bën nder kur vjen ministri apo drejtori i policisë. Në këndvështrimin tim, ministri tha se nuk është i kënaqur me punën e bërë nga Balla, Çuçi e Xhafaj. Më vjen mirë që ministri e nis duke konfirmuar ato që kemi thënë ne gjithë këto vite.
Salianji kritikoi ministrin mbi deklaratat e zbardhjes së ngjarjeve kriminale duke argumentuar se autorët ishin arratisur dhe nuk janë arrestuar. Versus.al







