
Seanca për të akuzuarit e dosjes së aferës “5D” në bashkinë e Tiranës u shty për në datën 12 mars për shkak të mungesës së njërit prej avokatëve të të pandehurve.
Versus.al ka siguruar foton e 2 ish-drejtorëve të bashkisë Tiranë, Redi Molla dhe Mariglen Qato të akuzuar si organizatorë të një skeme korrupsioni dhe pastrimi parash nëpërmjet kompanisë “5 D construction” e cila rezultonte nën pronësinë e tyre.
Sipas SPAK, i pandehuri Redi Molla në cilësinë e ish-drejtorit të përgjithshëm të UKT Mariglen Qato si ish-drejtor i departamentit mbështetës në bashki dh eish-kryeinspektorit të IKMT, kanë qenë pronarët “de facto” të kompanisë “5D Konstruksion sh.p.k” të cilën e kanë përdorur në mënyrë indirekte për të vjelë fondet publike të bashkisë Tiranë në mënyrë të paligjshme.
Gjatë kohës që Molla ka drejtuar UKT, shoqëria 5D Konstruksion sh.p.k. ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në 7 tendera. Nga ekspertimi i kryer, ka rezultuar se 5D ka përfituar më shumë se 192.7 milionë lekë nga 12 tendera të zhvilluara në mënyrë të kundërligjshme.
Gjithashtu të akuzuarit e tjerë, Taulant Tusha në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe si zyrtarët e tjerë Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albanon Janku kanë favorizuar shoqërinë 5D në 3 tendera të bashkisë Tiranë duke e shpallur fituese pavarësisht parregullsive dhe shkeljes së rregullave të prokurimit publik. Versus.al







