
Durrës- Një grabitje e ndodhur në banesën e një 59 vjeçari në lagjen nr.18 është zbardhur brenda 24 orëve të fundit.
Për ngjarjen, ka rënë në pranga sanitarja 33 vjeçare e identifikuar me inicialet E.K e cila dyshohet se u dha një kopje të çelësave, dy autorëve (vëllezër) që të hynin dhe të grabisnin bizhuteri dhe shuma parash nga banesa ku punonte.
Gjithashtu në pranga ka rënë një prej vëllezërve, 42 vjeçari F.H ndërsa është shpallur në kërkim vëllai i tij A.H, 36 vjeç banues në lagjen nr.13.
Duke shfrytëzuar mungesën e pronarëve të banesës, sanitarja ka sinjalizuar dy vëllezërit se mund të hynin dhe të grabisnin sende me vlerë. Në kamerat e sigurisë shihet sesi autorët kanë shkuar dhe kanë kryer grabitjen pa asnjë thyerje, pasi kanë hyrë duke përdorur kopjen e çelësit që kishte sanitarja.
Në cilësinë e provës materiale Policia ka gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrollit në banesën e shtetasit F.H, një varëse dhe një unazë floriri, një shumë parash dhe një automjet që dyshohet se e kanë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Juridiksionin e Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme. Versus.al







