Itali- Autoritetet italiane kanë goditur një grup kriminal të krijuar mes shqiptarëve dhe mafieve italiane “Ndragheta” dhe “Camorra” që merreshin me trafikun e kokainës nga Amerika Latine dhe shpërndarjen e saj në vende të ndryshme të Evropës.
Mediat italiane, e cilësojnë shqiptarin Albert Turja si koordinues të trafikut të drogës që mbërrinte në portet italiane e paketuar në kuti bananesh. Ai zotëron një hotel në “via Martelli” shumë pranë sheshit Duomo, të cilin e drejton së bashku me bashkëshorten e tij. Turja së bashku me vëllain e tij Ronald Turja, është mes 30 të arrestuarve në kuadër të hetimeve të cilat nisën në 2021-in.
Mësohet se anëtarë të mafiave italiane bashkëpunonin me shqiptarët me aleanca të ngushta dhe vepronin në Gjermani, Francë, Belgjikë dhe Shqipëri.
“Hosteli ynë, lexohet në faqen e internetit të godinës në ‘via Martelli’, lindi nga nisma e Albertit dhe gruas së tij, të cilët, të shtyrë nga dashuria e tyre për qytetin e Firences, vendosën të krijojnë një mjedis në të cilin, ata që vijnë nga jashtë, mund të shijojnë plotësisht atmosferën toskane”.
Por sipas hetimeve të Guardia di Finanzas, puna e vërtetë e Albertit, i cili përfundoi në burg së bashku me vëllain e tij Rolandin, 38 vjeç, nuk ishte ajo e një sipërmarrësi në sektorin e hotelerisë, por si trafikant droge.
Ai ishte organizatori i “degës” toskane të bandës, i cili me kriptofon mbante kontakte telefonike me bashkëpunëtorët e tij në Ekuador, ata që financonin blerjen e drogës direkt në Kolumbi dhe mbi të gjitha ishte ai, sipas asaj që doli nga hetimet e Prokurorisë Antimafia, që menaxhonte momentin më delikat të importit të drogës, atë të “daljes” nga porti.
Nga përgjimet e “Sky ECC”, rezultoi se vëllezërit Turja kishin bashkëpunëtorë brenda portit të Livornos, të cilët mund të kontrollonin se ku ndodhej kontejneri për të cilin ishin të interesuar, por ende nuk janë identifikuar.
Ata hiqeshin shpesh herë si peshkatarë në det për të mos ngjallur dyshime teksa ruanin mbërritjen e anijes së mbushur me drogë. Pasi kontejneri identifikohej, ekipi kishte për detyrë të vendoste GPS-in me një kartë në emër të një të personi të grupit për të ndjekur lëvizjet e tij dhe për të ndërhyrë, kur kontejneri zbrazet nga ngarkesa ligjore dhe për këtë arsye vendosej në një zonë me vigjilencë të ulët.
Për të transportuar drogën përdoreshin makina të ardhura nga Shqipëria me vende të modifikuara për fshehjen e lëndës narkotike.
Albert Turja kujdesej për logjistikën. Ai gjende vendin ku të linte anëtarët e grupit kriminal duke u thënë se ku duhej të parkonin makinat që të mos hasnin policinë dhe të shmangnin dyshimet duke dalë jashtë kamerave të sigurisë së portit të Livornos. Versus.al







