AKTUALITET /

“Desh na bënë hatanë, vari l*sht bimëve”/ Dalin përgjimet në Sky ECC mes trafikantit dhe punonjësit të policisë

Nga bisedat mes Kristo Qiricit dhe Erdit Hazizajt zbulohen lidhjet që grupi kishte me policinë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Greqi.

Shkruar nga Versus

“Desh na bënë hatanë, vari l*sht bimëve”/ Dalin

Emisioni “Në Shënjestër” ka zbardhur detaje në lidhje me një grup narkotrafiku që vepronte në aksin Tepelenë-Gjirokastër-Sarandë.

Nga bisedat mes Kristo Qiricit dhe Erdit Hazizajt zbulohen lidhjet që grupi kishte me policinë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Greqi.

Bisedat Sky Ecc

Kristo Qirici bisedon me Erdit Hazizaj

‘Dje, Po leje vari lesht, nuk po dimë më fare ku jemi. Sipas meje del që një nga ata që sjell gjëra o ka vënë gps ose ka çuar haber. Puna që deri te kapja kush na çoi. Ne nuk na njef asnjë vëlla, këtu në Sarandë, Po do e gjej se dhe në Athinë kemi djalin e një shefi të madh. Ata pardje erdhën nga Durrësi, morën makinën në 5 të mëngjesit dhe ikën’.

Aq e fuqishme dhe e mbrojtur ishte kjo organizatë, sa del që Kristo Qirici jo vetëm kishte futur në xhep policinë në Sarandë, por kishte njohje deri lart në policinë e Athinës.

Aty ku merr informacione të sakta se çfarë kanë rrëfyer dy italianët e kapur.

Kristo Qirici bisedon me Erdit Hazizaj

‘Po na trembën me këto që thonë që do ketë arrestime. Është lajmëruar pala shqiptare. Po halli është çfarë dinë, mos na vijnë neve, si thua. Apo pa prova nuk vijnë, si mendon. Në Athinë kemi një shef të madh. Po i japim 5 mijë euro. Ai e ka bërë dhe kapjen, S’ka as emra, asgjë, vetëm një emër boshnjaku kanë dhënë shoferat’.

Por ndërsa ishte në përgatitje për të dërguar ngarkesën me drogë në Greqi, një ngjarje e pakëndshme duket se ia prish seriozisht humorin Kristo Qiricit.

Ajo e mesit të shkurtit 2020, ku pasi e pyet Erdit Hazizaj; ‘nëse është rruga e lirë për në Gjirokastër, dhe nëse jo të kalojë nga Vlora.’, ai i tregon oficerit të policisë se ndërkohë i janë hapur telashe të reja, telashe që kanë të bëjnë me një shtëpi bari, të cilën e ka shkatërruar pasi ka mësuar se Policia në Sarandë do t’i vijë për kontroll.

Bisedë gjatë të cilës lë të kuptohet se për këtë ambient ka pasur edhe mbështetjen nga punonjës të policisë në zonë.

Bisedat në Sky Ecc - Kristo Qirici i shkruan Erdit Hazizaj

‘Patëm bërë një këtu me 400 llamba. Për 10 ditë ishin gati për prerje. Tani e pastruam që u qetësuam, Se desh na bënë hatanë, vari leshtë bimëve. Kam 30 çuna këtu.

Po do shikojmë se duket dorë e brendshme, se nuk ka mundësi. Nesër ose pasnesër ke djalin aty mos të duhen më shumë se 22?. Ok vëlla natën.’

Vetëm dy ditë nga konsumimi i kësaj bisede Kristo Qirici i shkruan sërish Erdit Hazizajt ku e njofton që shumën e parave prej 22 mijë euro e ka gati.

Por pavarësisht dështimit në ngarkesën e dërguar në Athinë më datë 7 Mars 2020, grupi nuk demoralizohet por vazhdon normalisht punën.

Ndërkohë që nga biseda lihet të kuptohet se më herët janë dërguar edhe shumë ngarkesa të tjera që kanë qenë të suksesshme.

Kjo edhe falë ndihmës së policëve të inkriminuar që dalin edhe në këto komunikime në Sky Ecc, midis Kristo Qiricit dhe Erdit Hazizaj. Biseda të cilat zhvillohen më datë 29 Mars 2020.

Ku Qirici i thotë se kishte nisur edhe një rrugë më parë, por mjeti kishte qenë me targa gjermane dhe për këtë arsye u kishte shpëtuar kontrolleve të autoriteteve të zbatimit të ligjit.

Bisedat Sky Ecc- Kristo Qirici bisedon me Erdit Hazizaj

‘Ata na prisnin me targa italiane, por ne ishim me gjermane dhe shpëtuam. Po në Greqi vëlla po nuk u lidh gjëja, mbyllet cikli, te ai që kapin me presh në dorë’.

Por për të gjithë këtë shërbim që po i bën, Kristo Qirici nuk harron ta shpërblejë mikun e tij të vyer në radhët e policisë.

Që për hir të së vërtetës deri në këtë moment dhe në vazhdim i ka mbyllur shumë punë.

Siç është edhe kjo bisedë midis tyre që i përket shkurtit të vitit 2021, ku Kristo Qirici i kërkon Hazizajt që ta ndihmojë me një të njohurin e tij, sa herë ai ka ndonjë hall apo lëvizje në punën e tij.

Ndërsa Hazizaj jo vetëm tregohet i disponueshëm, por i tregon edhe gradën që mban si komisar policie.

‘Me vrap jepja’, ‘reklamën e di vetë ti’.

‘Hazizaj, komisar’

Biseda gjatë cilave në njërën prej tyre Kristo Qirici njofton Erdit Hazizajn se çunat u nisën për në Spanjë.

Dhe si shpëblim do i falte një automjet, që e kishte në përdorim bashkëshortja e tij.

Bisedat Sky Ecc, 12 Shkurt 2021- Kristo Qirici bisedon me Erdit Hazizaj

‘Vëlla unë i nisa çunat dje për në Spanjë, tani gjej dikë dhe hajde merr BMË-në.

Po ecëm para ta kam fal, por që besoj që do ecim’.

Makinë e markës BMË X5 në pronësi të bashkëshortes së Kristo Qiricit, e cila sipas verfikimeve të kryera nga grupi hetues del se në vitin 2023 ka kaluar në pronësi të bashkëshortes së Erdit Hazizaj.

13 Shkurt 2021

‘Mirë të duket makina”

‘Ok vëlla. E ke nga Zvicra. Nuk lëviz fare na rruga, as për shi, as për gjë’.

‘Ishte full dhe super amortizim’.

Makinë që mesa duket Erdit Hazizaj ‘e meritonte’

Pasi më herët gjatë vitit 2020, ai e kishte mbajtur të informuar Kristo Qiricin edhe në lidhje me informacionet e brendshme të policisë mbi kultivinin e lëndës narkotike në jug të Shqipërisë.

Dhe si funksionin këto informacione.

Duke treguar për eksperiencën e tij si oficer policie pranë Drejtorisë së Policisë Berat, gjatë periudhës 28 Mars 2016 deri më 16 Gusht 2017.

Bisedat Sky Ecc, 19 Gusht 2020

Erdit Hazizaj këshillon Kristo Qiricin që të shikojë se nga kush agjenci kishte mbërritur informacioni në lidhje me kultivimin e bimëve në ambiente të hapura.

Ai i thotë bashkëfolësit të tij se kur ishte punonjës policie në Berat, shkresat i vinin duke i’u referuar agjencisë që ka pasur informacionin.

‘Se kështu na vinin shkresat ne lart kur isha në Berat…Nga info që komisari ka, filani merret me këtë punë’.

Po kështu gjatë një bisede Kristo Qirici i qan hallin Erdit Hazizaj se goditja që mori me shkatërrimin e shtëpisë së barit me 400 llampa, i ka shkaktuar një dëm prej 250 mijë euro investim.

Që sipas tij nëse do i kishte nxjerrë në treg boçet e pjekura të kanabisit, do kishte fituar 650 mijë euro.

Por për t’u kthyer te episodi i dështuar i muajit mars 2020, i trafikimit të 1.2 ton kanabis, të kapur në Athinë, ndërsa Kristo Qirici dhe Eldjon Alushaj e kishin fjetur mendjen për humbjen e ngarkesës, punët nuk duken se ishin edhe aq të qeta brenda doganës së Qafë Botës, ku kaloi ruloti me drogë.

Aty ku mesa kuptohet po kërkohej llogari se kush e kaloi pa kontrolluar automjetin me kanabis.

Shqetësim të cilin e përcjell te drejtuesit e grupit kriminal vetë Elvis Dërvishi, apo ‘Visi i Doganës’ në bisedën që ai zhvillon me Eldjon Alushajn, i cili nga ana e tij këtë bisedë ia përcjell Kristo Qiricit, ku problem është kthyer një doganier, i quajtur Fadil, që dyshonte te Elvisi dhe dy të tjerë.

Poll