Çfarë do të gjeni në brendësi
*Godina e kompanisë farmaceutike “CFO Pharma” u qëllua me breshëri plumbash rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm. *Fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, ndërsa mësohet se drejt fasadës së godinës janë derdhur 34 plumba automatiku. *Policia u njoftua vetëm në orën 08:10 të mëngjesit. Grupi hetimor në vendngjarje konstatoi se të shtënat ishin përqendruar vetëm lart godinës duke lënë të kuptohet se dy autorët kishin dashur të japin një mesazh për pronarin Nadir Çausholli. *Ky i fundit, ka qenë i arrestuar në 2015-ën për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh duke përfituar vlerën e 2 milionë eurove. Ndërsa kompania njihet gjithashtu për përfitimin e një sërë tenderave në shërbimin shëndetësor.
34 plumba drejt "CFO Pharma", detaje nga të shtënat: Autorët dyshohet se dhanë mesazh paralajmërimi

Tiranë- Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur gjatë orës 02:00 të mëngjesit të sotëm pranë rrugës që lidh kryeqytetin me Durrësin, ku dy persona hapën zjarr ndaj “CFO Pharma”.
Autorët kanë qëlluar me 34 plumba drejt godinës, ndërsa dyshohet se kemi të bëjmë me një plan të mirëmenduar. Njëri prej tyre ka bërë rolin e shoferit, ndërsa tjetri ka hapur zjarr drejt fasadës së godinës dhe më pas janë larguar në drejtim të Vorës.
Një detaj i rëndësishëm është fakti se autorët kanë hapur zjarr drejt katit të fundit të godinës dhe grupi hetimor dyshon se kjo mund të ketë qenë një mesazh paralajmërimi i tyre duke shmangur mundësinë e viktimave.
Pavarësisht se ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 të mëngjesit, policia njofton se është lajmëruar në orën 08:10, pra 6 orë pas të shtënave me armë. Autorët kanë patur gjithë kohën e mundshme për t’u larguar dhe për të humbur gjurmët.
Përndryshe kompania CFO Pharma u cilësua nga bashkia Tiranë në 2017-ën si “biznesi i vitit” dhe shpesh herë ka përfituar transaksione me vlerë miliarda lekë për shërbimin në sektorin shëndetësor. Në korrik të 2024-ës, kompania u përjashtua nga tenderat për 6 muaj pasi u zbulua se kishte kryer mashtrim në dokumentacionin e dorëzuar për t’u kualifikuar në tendera publikë.
Pronari i kompanisë, Nadir Çausholli njihet si person me probleme me drejtësinë pasi në 2015-ën u arrestua për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh. Versus.al
Qëllohet me breshëri plumbash ndërtesa e "CFO Pharma"! Autorët hapën zjarr nga makina

Tiranë- Godina e e CFO Pharma është qëlluar me breshëri plumbash rreth orës 02:00 të mëngjest të 18 marsit.
Mësohet se autorët kanë qëlluar mbi 20 plumba drejt fasadës së godinës, ndërsa janë larguar me një automjet me të cilin qarkullonin në Kashar-Mëzez. Fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka pasur persona të lënduar.
Policia në njoftimin e dhënë, nuk ka publikuar detaje konkrete mbi ngjarjen, duke thënë se u njoftua vetëm në orën 08:10 të mëngjesit.
"Rreth orës 08:10, në sallën operative të DVP Tiranë, ka ardhur njoftimi se në rrugën dytësore të autostradës “Durrës – Tiranë”, gjatë natës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të fasadës së një ndërtese. Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit"- bën me dije policia.
Kompania është në pronësi të Nadir Çaushollit, i cili njihet edhe si mik i kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj. Në 2017-ën, bashkia e Tiranës e shpalli “CFO Pharmën” si biznesin e vitit.
Ndërsa më herët, në tetor të 2015-ës, Nadir Çausholli u arrestua pasi nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Tatimeve, rezultoi se nëpërmjet kompanisë së tij “Omega farma” ka arritur të përfitoi me anë të “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “mashtrimit” me pasoja të rënda, rreth 2.2 milionë euro nga fondi i ilaçeve të rimbursueshme. Versus.al







