Çfarë do të gjeni në brendësi
500 hektarë tokë nën ujë në Çukë të Sarandës, përmbytje që nuk është parë për 40 vite
Reshjet intensive të shiut sollën përmbytje që nuk ishte parë prej 40 vitesh në Sarandë.
Në fshatin Çukë, situata paraqitet më problematike, rreth 500 hektarë tokë gjendet nënë ujë, po ashtu dëme janë regjistruar në banesa dhe qindra bagëti të ngordhura.
Në Cukë ndodhen forcat e Emergjencave Civile, Ministri Pirro Vengu dhe Kryetari i Bashkisë Oltion Caci të cilët deklaruan se situata nuk është aspak e favorshme për shkak të reshjeve intensive që vazhdojnë të jenë prezentë, ndërsa po punohet që argjinatura e lumit Bistrice të stabilizohet në dy ditët e ardhshme.
“Situata vazhdon të jetë e paqëndrueshme, moti nuk po na favorizon në gjithë këtë, bashkia ka qenë në terren, kemi filluar duke pasur fokus shpëtimin e jetës së njerëzve në radhë të parë, me gjënë e gjallë e me bizneset e të gjitha problematikat që solli kjo situatë që sipas meteorologëve nuk ka ndodhur në 40 vjet në Sarandë, nuk ka ndodhur kjo sasi reshjesh që ndodhi këto ditë, shpresojmë që brenda pak ditësh ta sjellim situatën në kontroll, kërkojmë ndjesë dhe bashkëpunim nga gjithë qytetaret e Sarandës, ne jemi në terren dhe shume shpejt çdo gjë do të sillet në normalitet", tha Kryetari Bashkisë Sarandë, Oltion Caci.
Emergjencat civile po shpërndajnë rezerva materiale për dhjetëra familje të prekura nga përmbytjet./Versus.al
Reshje dëbore në Dardhë të Korçës

Regjistrohen reshjet e para të borës në qarkun e Korçës.
Në lartësitë mbi 1000 metra në fshatrat Vithkuqit dhe Shtyllës të Dardhës ranë reshje dëbore.
Raportohet se në Dardhë reshjet janë prezentë nga Kilometri i 9, ndërsa në terren ndodhen kontraktorët për mirëmbajtjen e rrugës.
Situata paraqitet e qetë, pasi edhe reshjet nuk janë intensive, ndërsa nuk evidentohen probleme me qarkullimin e automjeteve momentalisht./Versus.al
Disa fshatra pa energji elektrike në Vaun e Dejës, reshje dëbore në Pukë

Situata me motin është përmirësuar në disa zona por ende vijon të ketë problemë në Qarkun Shkodër. Gjatë natës kanë vijuar reshjet e shiut dhe dëborës.
Në fshatrat e njësive administrative Vig-Mnelë dhe Shllak raportohet se ka mungesë të energjisë elektrike.
Më poshtë përditësimi sipas bashkive dhe institucioneve përgjegjëse:
1. Bashkia Shkodër
Situata paraqitet e qetë.
Nuk raportohen probleme me furnizimin me energji elektrike.
Reshjet e shiut kanë vijuar gjatë natës me intensitet mesatar, por deri tani nuk janë evidentuar problematika.
2. Bashkia Malësi e Madhe
Reshjet e shiut kanë vijuar gjatë natës me intensitet mesatar.
Nuk raportohen probleme nga territori i bashkisë.
Në rrugën e dëmtuar mbi përroin e thatë, në fshatin Kamicë (Nj.A. Qendër), sot është planifikuar hedhja e disa kamionëve me zhavorr për përmirësimin e qarkullimit.
3. Bashkia Vau Dejës
Reshjet kanë vijuar gjatë natës dhe vazhdojnë edhe aktualisht me intensitet mesatar.
Në fshatrat e njësive administrative Vig-Mnelë dhe Shllak ka mungesë të energjisë elektrike.
4. Bashkia Pukë
Në këtë bashki vijojnë reshjet e dëborës me intensitet mesatar.
Deri në këto momente nuk raportohen problematika.
5. Drejtoria e Drainazhit Lezhë (për territorin e Shkodrës)
Gjatë 24 orëve të fundit kanë rënë rreth 35 mm reshje shiu.
Kanale kulluese, argjinaturat dhe diga e rezervuarit Shkodër funksionojnë normalisht.
Nivelet e ujit në lumenjtë Buna, Drin, Kir, Gjadër dhe prurjet e përrenjve kryesorë janë poshtë kuotave të rrezikut.
Hidrovoret e Velipojës (Vilu & Cas) janë në funksion të plotë./Versus.al
Reshje shiu të herëpashershme, si do të ndryshojnë temperaturat sot

Vendi ynë do të përfshihet gjatë ditës së sotme nga një mot i paqëndrueshëm, me vranësira mesatare deri të dendura.
Reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme që në orët e para të 24-orëshit deri në orët e mëngjesit në pjesën më të madhe të vendit me intensitet të ulët, ndërsa në veriperëndim dhe në jugperëndim, reshje shiu me intensitet kryesisht mesatar, hera-herës shtrëngata shiu shoqëruar me shkarkesa elektrike.
Gjatë ditës reshjet e shiut do të mbeten prezente të herëpashershme me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit.
Në orët e mbrëmjes reshjet e shiut ndërpriten. Në lartësinë mbi 600-700 metra në verilindje dhe në lartësinë mbi 1000 metra në juglindje, reshje bore me intensitet të ulët, në Alpe dhe verilindje me intensitet deri mesatar.
Era do të fryjë me drejtim nga juglinjda-veriperëndimi me shpejtësi mesatare 7m/s, e cila hera-herës përgjatë vijës bredgetare dhe zonave luginore pritet të fitoi shpejtësi deir në 18m/s
Deti Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon i forcës 3-4 ballë.
