
Është zbardhur dinamika e ngjarjes së rëndë të ndodhur në Dhërmi ku recepsionisti i hotelit “Grecce”, Eraldo Nevruzi u ekzekutua me 2 plumba në kokë nga pronari Gerald Shehu.
Dyshohet se ky i fundit kishte planifikuar të gjithë ngjarjes dhe përgjatë mbrëmjes, e ka marrë recepsionistin veçmas në një dhomë ku pushonte stafi. Më pas rreth orës 01:00 të mëngjesit, e ka qëlluar me dy plumba në kokë duke e lënë të vdekur. Me mbështetjen e dy punonjësve të tjerë të hotelit, Daniel Qose dhe David Larti të cilë janë arrestuar si bashkëpunëtorë, ka zhveshur viktimën dhe më pas të gjitha sendet personale, si rroba, dokumente identifikimi ia ka djegur tek furra e picerisë.
I ndihmuar po nga punonjësit, e ka mbështjellë me plastmas trupin e pajetë të 31 vjeçarit dhe e ka futur në makinën e tij “Audi A8” prej nga ku më pas e ka hedhur në një gurore pranë fshatit Vuno.
Versus.al mëson se ka qenë një turiste angleze e cila i ka thënë policisë se ka dëgjuar krisma dhe të bërtitura. Ndërsa vjehrra e Gerald Shehut, bashkëpronare e hotelit, ka marrë policinë në telefon pasi nuk kishte gjetur recepsionistin në hotel dhe as rrobat e tij. Orë më pas, ndodhi arrestimi i Gerald Shehut i cili kishte kaluar në Greqi nëpërmjet pikës kufitare Qafë Botë. Versus.al







