
Dyshime për viktimë shqiptare në rastin tronditës të trupit të karbonizuar në Viotia
Autoritetet greke po hetojnë me intensitet maksimal rastin makabër të trupit të gjetur të karbonizuar pasditen e së premtes në zonën e izoluar të Skourta, në Viotia. Trupi u gjet brenda një automjeti të djegur, në një vend të thellë malor që mund të arrihej vetëm përmes një rruge rurale të dëmtuar.
Sipas burimeve policore, ekziston dyshimi i fortë se viktima mund të jetë një shtetas shqiptar, me profesion punëtor ndërtimi, i cili është raportuar i zhdukur në të njëjtën zonë. Sipas mediave greke, shqiptari ishte larguar nga Vilia dhe po udhëtonte drejt Skourtas me automjetin e tij, para se të humbiste çdo kontakt me familjen dhe të njohurit.
Autoritetet po presin rezultatet e analizës së ADN-së, e cila do të krahasohet me atë të të afërmve të shqiptarit të zhdukur për të konfirmuar nëse trupi i karbonizuar i përket atij.
Hetimet kanë zbuluar se automjeti ku u gjet trupi ishte i vjedhur më herët në Glyfada dhe mbante targa të falsifikuara. Sipas raportimeve, trupi ndodhej në sediljen e pasme dhe viktima kishte duart e prangosura, çka përforcon dyshimet se bëhet fjalë për një ekzekutim të mirëorganizuar kriminal.
Rasti ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi, ndërsa familjarët e të zhdukurit presin me ankth rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore për të mësuar nëse bëhet fjalë për të afërmin e tyre.
Hetimet vazhdojnë nën drejtimin e policisë greke, e cila po përpiqet të zbardhë motivet dhe autorët e mundshëm të këtij krimi brutal. / VERSUS
