
Ditën e sotme pritet që 10 të arrestuarit gjatë aksionit të së premtes, të dalin para Gjykatës së Posaçme për t’u njohur me masat e sigurisë.
Të arrestuarit akuzohen si pjesëtarë të një grupi kriminal që merrej me trafikun e lëndëve narotike të forta që vinin nga Amerika Latine, konkretisht Brazili dhe më pas përpunoheshin në Shqipëri për t’u transportuar në shtete të tjera të Evropës.
Në pranga nga ky operacion ranë 7 shqiptarë dhe tre të huaj amerikano-jugorë. Kontrollet e ushtruara në kuadër të hetimeve që kishin nisur prej një viti, zbuluan një laborator kokaine në fshatin Qerekë të Fushë-Krujës, ku përpunohej lënda narkotike. Ndërsa në Durrës dhe Tiranë tek “Kodra e Diellit 2” u gjetën ambiente mbështetëse për laboratorin e Qerekës.
Sipas burimeve hetimore, Geis Fejsullahu rezultonte pronar i banesës në Tiranë ku u zbulua edhe një prej pikave të përpunimit të kokainës. Ndërsa më pas vinin edhe emrat e tjerë Endi Sejdini, Klajdi Birçe e Artion Çaushllari i cili më parë ka patur edhe detyra shtetërore në bashkinë e Tiranës si zyrtar i ish-LSI.
Pjesa tjetër e grupit si Aldi Zonja, Ismail Abdurrahmanaj e Baki Huqi, kishin role dytësore ndërsa dy shtetasit venezuelian Joze Ramon Zacarias Vasquez, Samuel Alfonso Moreno Serrano dhe shtetasi kolumbian Hiëlen Ledezma Narvaez ishin sjellë në Shqipëri si ekspertë të përpunimit të drogës.
Ngarkesat vinin të fshehur në lëkurat e gjedhëve, një prej mënyrave të përdorura nga grupi kriminal për t’u shpëtuar kontrolleve me qen antidrogë për shkak të lëkurës së rëndë të lëkurës së bagëtive.
Po cili ishte intenerari i ngarkesës me kokainë?
Ngarkesat njëra prej të cilave ka mbërritur në shtator dhe tjetra në nëntor të këtij viti niseshin nga Amerika Latina dhe kanë bërë transit në portet italiane për të mbërritur në brigjet shqiptare. Hetuesit shqiptar që merreshin me ngjarjen kanë konfirmuar se kanë qenë në dijeni të këtyre lëvizjeve por janë koordinuar me partnerët e huaj që të mos ndaloheshin për të gjurmuar, destinacionin dhe personat që merreshin me këtë aktivitet. Ky grup kriminal gjithashtu kishte zgjedhur zona të sigurta ku shmangej edhe kontrolli si ajo e Qerekës pranë Rinasit.
Mes provave të sekuestruara numërohen edhe dhe 57 milionë peso kolumbianë dhe 36 mijë euro. Versus.al







