Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, diaspora shqiptare pati të drejtën të votojë nga jashtë vendit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), 78.03% e shqiptarëve jashtë vendit ushtruan të drejtën e votës në zgjedhjet e 11 majit 2025. Nga 245,935 shtetas të regjistruar për të votuar në distancë, 191,912 zarfe mbërritën në selinë e KQZ-së brenda afateve ligjore.
Ky nivel i lartë pjesëmarrjeje konsiderohet historik dhe jep një mesazh të qartë për angazhimin e komunitetit shqiptar jashtë vendit në çështjet politike. Përfshirja e diasporës në zgjedhje u bë e mundur pas ndryshimeve ligjore të miratuara në vitin 2023, që parashikuan votimin me postë për qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë. /Versus.al/







