Mustafa Martinaj, babai i biznesmenit të zhdukur, Ervis Martinaj u paraqit sot në GJKKO për herë të parë lidhur me kërkesën e tij për lirimin e pronave të sekuestruara të djalit të tij.
Pas seancës ai u shpreh për gazetarët se të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur me të birin, duke pretenduar se Martinaj është ekzekutuar në Durrës vite më parë.
“Djalin ma kanë ekzekutuar në Durrës, të gjithë e dinë vetëm SPAK dhe mediat nuk e dinë. Nuk jam interesuar më tej se nuk kam as fuqi të merrem me hakmarrje, jam invalid”- mësohet të jetë shprehur Mustafa Martinaj duke shtuar se “këta nuk duan të hetojnë”.
Ervis Martinaj, emri i të cilit shfaqet i përfshirë në disa dosje e ngjarje kriminale, rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022, pak muaj pasi ishte shpallur në kërkim për operacionin “Plumbi i artë”, i cili u realizua falë dëshmisë të të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani. Për herë të fundit, kamerat e sigurisë të një hoteli e kanë filmuar Martinajn në Durrës nën shoqërinë e ish-efektivit të “Shqiponjave”, Jeton Lami. Versus.al

