Çështja e operacionit policor “Kurtaj” ka hyrë në një fazë të re, pasi drejtori i Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, i shpallur më herët në kërkim, është dorëzuar në polici.
Në dëshminë e tij paraprake, Hasa ka hedhur poshtë akuzat se është i përfshirë në veprimtarinë e paligjshme të kultivimit të kanabisit në magazinën në fshatin Kurtaj, Njësia Administrative Gjocaj, duke deklaruar se prej muajsh nuk ka shkuar në atë objekt dhe se nuk ka pasur dijeni për atë çfarë zhvillohej aty.
Operacioni “Kurtaj” u zhvillua nga Drejtoria për Krimet në Volum, në bashkëpunim me DVP Elbasan dhe Komisariatin e Policisë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.
Gjatë kontrollit, në bodrumin e një magazine u zbuluan dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave, ku ishin mbjellë rreth 4000 bimë kanabisi, si dhe u sekuestruan llamba, neonë dhe pajisje të tjera elektrike.
Sipas njoftimit zyrtar, objekti rezulton në pronësi të Bilal Hasës, ndërsa përveç tij, në kërkim është shpallur edhe përgjegjësi i OSHEE-së për zonën e Peqinit, me inicialet E. M., për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se ka lidhje me furnizimin e paligjshëm me energji të objektit.
Burime policore bëjnë me dije se një nga pistat e hetimit lidhet edhe me mundësinë që lidhja e paligjshme e energjisë elektrike të jetë kryer nga vëllai i Hasës, që jeton në fshat.
Operacioni “Kurtaj” vijon nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, ndërsa hetimet po shtrihen për të dokumentuar të gjithë skemën e kultivimit dhe për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë veprimtari.Versus.al


