
Dy muaj pas vrasjes së Gilmando Danit, i cili humbi jetën në një atentat të dyfishtë në rrethrrotullimin e Rinasit së bashku me Muçi Shaljanin, një nga personat që mund të zbardhë ngjarjen është Emiljano Shullazi
Gilmando Dani ishte numri dy i bandës së Emiljano Shullazit, ky i fundit sipas Artan Hoxhës nuk do të bashkëpunojë me drejtësinë duke i dhënë informacione të vlefshme.
Gazetari shprehet se Shullazi nuk e ka përdorur kurrë “shtetin” për të goditur armiqtë e tij.
“Nuk besoj se në gjendjen që është ai do të dëshmojë, pasi e di shumë mirë se sa i vogël është hapi i këtyre që po hetojnë çështjen. Ai po sheh që kundërshtarët e tij nuk po goditen prej një kohe të gjatë, ka goditje minimale ndaj tyre sa për imazh.
Duke e ditur këtë, ai e di shumë mirë se çdo gjë që do të thotë do t’u shkojë në vesh kundërshtarëve dhe kjo nuk i pëlqen. Ai ka luajtur me një lloj stature dhe rregulli, duke mos hyrë në intriga për të bërë goditje në bashkëpunim me shtetin. Ai nuk e ka përdorur shtetin për të goditur kundërshtarët, vetëm në funksion të vetes, ndërsa kundërshtarët ia bënë atij”, deklaroi Artan Hoxha.
Sipas tij, lidhjet e Shullazit ose janë vrarë, ose janë në gjykim, por nuk ka shpresa se ai do të bashkëpunojë me drejtësinë.
“Ervis Martinaj u ekzekutua, lidhjet e tij në Durrës po gjykohen, edhe ambasada amerikane u përfshi në luftën ndaj tij.
Prandaj përbën lajm kërkesa ndaj Shullazit për të dëshmuar, por nuk kam ndonjë shpresë të madhe që ai do të bashkëpunojë me autoritetet, pasi e di fuqinë e kundërshtarëve dhe e di se, përderisa ata nuk janë goditur, kanë kontroll mbi agjencitë e zbatimit të ligjit”, tregoi Hoxha./Versus.al

