
Ditën e sotme u mbajt seanca e radhës në gjykatën e posaçme për dosjen “Plumbi i Artë”, operacion i zhvilluar pas rrëfimeve të vrasësit me pagesë Nuredin Dumani i cili është kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë.
Seanca u shty sërish për shkak të mungesës së Nuredin Dumanit dhe disa të pandehurve të tjerë të cilët u përfaqësuan nga avokatët. Gjatë seancës së sotme, Enver Diva i cili akuzohet për vrasje dhe sigurim kushtesh për të kryer vrasje, ka bërë deklarata të forta ku hidhte akuza lidhur me publikimin në media të audiove të seancave gjyqësore të dosjes “Plumbi i Artë” ku flet Nuredin Dumani.
Sipas tij, emisioni që e ka publikuar materialin, SPAK-u dhe kryeministri Edi Rama janë bashkëpunëtorë.
“Kam një kërkesë për televizionin që ka dhënë një emision dje, duke më nxjerr si vrasës me pagesë, dhe nuk ka të drejtë një media të japë materiale të tilla kur prezumohem i pafajshën, unë jam ku jam në gjykim, s’jam dënuar. Apo e keni shitur materialin, se Top Channel, Edi Rama e SPAK-u bashkë janë. Unë jam i pafajshëm, ju keni çuar kasetën atje”- u shpreh Diva i cili akuzohet për vrasjen e vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia në 2020-ën në Durrës.
Kujtojmë se në seancën e kaluar pati një revoltë të të pandehurit tjetër Petrit Qoli i cili pretendoi se po mbahej në burg padrejtësisht se se nuk kishte asnjë lidhje me krimet në të cilat e përmendte vrasësi me pagesë Nuredin Dumani. Versus.al







