Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dalë me një njoftim zyrtar për operacionin e zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet spanjolle ku gjatë mbrëmjes së djeshme u zbuluan laboratorë droge për përpunimin e kokainës.
Dhjetë persona janë arrestuar, mes të cilëve 2 venezuelianë dhe një kolumbian të cilët luanin rolin e përpunuesve të kokainës e cila merrej në gjendje të lëngshme nga Amerika Latine. Pas përpunimit droga transportohej në shtete të tjera të Evropës.
Mësohet se laboratori i drogës ishte në fshatin Qerekë të Fushë Krujës ndërsa grupi kriminal kishte organizuar edhe ambiente ndihmëse në Durrës dhe Tiranë, konkretisht në lagjen “Kodra e Diellit 2”.
Në pranga kanë rënë:
Shtetas shqiptar:
1. Geis Fejsullai 42 vjeç, banues në Tiranë
2. Klajdi Birçe 40 vjeç, banues në Tiranë
3. Artion Caushllari 37 vjeç, banues në Tiranë
4. Endi Sejdini 25 vjeç, banues në Krujë
5. Aldi Zonja 37 vjeç, banues në Tiranë
6. Ismail Abdurrahmani, 51 vjeç, banues në Shkodër
7. Baki Huqi, 57 vjeç, banues në Durrës
Shtetas të huaj:
1. Hiwlen Ledezma Narvaez 41 vjeç, shtetas kolumbian
2. Joze Ramon Zacarias Vasquez 35 vjeç, shtetas venezuelian
3. Samuel Alfonso Moreno Serrano 42 vjeç, shtetas venezuelian
Çfarë u sekuestrua
Material i papërpunuar prej 48 tonësh (rreth 850 lëkurë gjedhi) ku dyshohet se fshihet lëndë narkotike, të importuara nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor 2024;
6.1 kg lëndë narkotike e dyshuar si kokainë;
36,270 euro, 357,046 lekë të reja dhe 57 milionë peso kolumbiane (afërsisht 12, 200 euro);
89.5 kg përzierës të ngurtë dhe 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës;
Pajisje për ngritjen e laboratorëve, si presa, axheton, epruveta qelqi, preparate kimike, mikrovalë, qese paketimi, dhe llampa nxehtësie;
22 telefona celularë, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM;
3 automjete të markave të ndryshme dhe dokumente të tjera të rëndësishme.
Tipologjia e grupit kriminal
Si vepronte grupi kriminal
Transportues, financues dhe shpërndarës, si funksiononte grupi kriminal
Nga të dhënat hetimore, rezulton se ky grup vepron si një rrjet ndërkombëtar kriminal, duke bashkëpunuar me organizata kriminale në Amerikën Latine për të trafikuar kokainën drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Evropian. Në vend, ata përdornin një laborator dhe ambiente ndihmese për ekstraktimin e drogës nga “lëkurë gjedhi të kriposur”, përpunimin e saj përpara se ajo të trafikohej në tregjet e destinuara. Struktura e grupit përfshinte shtetas nga disa qytete të vendit, role të mirë përcaktuara, duke përfshirë financues, transportues, përpunues, dhe shpërndarës.
Ky rrjet shfaqte një bashkëpunim efikas mes ekspertëve të huaj me përvojë dhe elementëve lokalë të mirë-organizuar, duke krijuar një mekanizëm funksional dhe shumëdimensional të aktivitetit kriminal.
Një nga aspektet më të veçanta të këtij rrjeti ishte përfshirja e ekspertëve nga Amerika Latine. Kolumbianët dhe venezuelianët, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës, ishin “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit. Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian. Ky bashkëpunim tregon jo vetëm përmasën ndërkombëtare të grupit, por edhe synimet e tij për të operuar në nivele të larta të organizimit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar në përpunimin e drogës.
Përzgjedhja e vendndodhjes së laboratorit
Laboratori i ngritur në Qerekë të Fushë Krujës dhe ambientet ndihmëse në Tiranë dhe Durrës, ishin vendosur në pika strategjike të infrastrukturës kombëtare. Pranë aeroportit më të madh të vendit, dhe portit të Durrësit, këto zona vështirësonin monitorimin nga ajri prej agjencive ligjzbatuese, dhe nga ana tjetër lehtësonin transportin e shpejtë të drogës dhe përzierësve kimike, duke siguruar një qasje të shpejtë në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Përzgjedhja e këtyre lokacioneve tregon qartazi një planifikim të kujdesshëm, ku distanca e afërt me nyjet kryesore të logjistikës kombëtare ishte një faktor kyç për funksionimin pa ndërprerje të këtij rrjeti kriminal.
Rrjeti operonte në mënyrë të sinkronizuar, me çdo hallkë të përcaktuar në mënyrë të detajuar. Ekspertët e huaj përqendroheshin në proceset teknike të përpunimit, duke shfrytëzuar aftësitë e tyre për të ngritur laboratorë të përpunimit të drogës. Ndërkohë, financuesit shqiptarë siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë. Transportuesit dhe përpunuesit lokalë luanin rolin e tyre për të siguruar lëvizjen e sigurt të drogës dhe pajisjeve, ndërsa shpërndarësit kishin detyrën për ta futur drogën në tregjet e destinuara.
Shuma e madhe e parave e vënë në dispozicion të financimit të këtij aktiviteti, pajisjet teknologjike dhe mjetet e përpunimit të drogës tregojnë për nivelin e lartë të organizimit dhe burimeve financiare të këtij grupi kriminal. Versus.al







