AKTUALITET /

EMRAT +VIDEO/ Trafikonin armë nga Mali i zi, goditet një tjetër grup kriminal në Tiranë! Sekuestrohen 6 pistoleta!

Armët dyshohet të jenë trafikuar nga Mali i Zi për tu shitur në Fresk.

Shkruar nga Versus
EMRAT +VIDEO/ Trafikonin armë nga Mali i zi, goditet një tjetër
Pamje nga aksioni

Dy persona janë arrestuar në Tiranë, pjesë e një grupi kriminal të përfshirë në trafikun dhe shitjen e armëve të zjarrit, ndërsa janë sekuestruar 6 pistoleta të llojit SigSauer.

Shtetasit Donati Jaku, 31 vjeç, dhe Florian Gjeta, 22 vjeç, u arrestuan në zonën e njohur si “Rrethi i Freskut”, ndërsa bashkëpunëtori i tyre është shpallur në kërkim. Armët dyshohet se janë trafikuar nga Mali i Zi dhe synonin të shiteshin kryesisht në zonën e Freskut.

Gjeta ishte shofer i automjetit tip “Volkswagen”, ndërsa Jaku udhëtonte si pasagjer. Policia ka publikuar pamjet që tregojnë ndjekjen dhe momentin e arrestimit nga efektivët e Komisariatit nr. 4 dhe Forcave Operacionale, duke nxjerrë në pah koordinimin e hetimeve dhe punën operative të tyre.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet si rezultat i një hetimi dymujor, operacioni i koduar “Rotondo”.

Goditet një tjetër grup kriminal i përfshirë në trafikim dhe shitje të armëve të zjarrit.

Sekuestrohen 6 pistoleta të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen, kryesisht në zonën e quajtur “Fresku”.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetasit që transportonin me automjet, armët e zjarrit.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim një bashkëpunëtor i tyre.

Si rezultat i një hetimi të kryer për 2 muaj, me metoda proaktive, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të kontrolleve dhe punës operative, me objektiv goditjen e veprimtarive kriminale të trafikimit dhe shitjes së armëve të zjarrit, finalizuan operacionin e koduar “Rotondo”.

Gjatë operacionit, u vunë në pranga shtetasit D. J., 31 vjeç, banues në Shkodër dhe F. Gj., 22 vjeç, banues në fshatin Domje.

Automjeti që drejtonte 22-vjeçari dhe ku ishte pasagjer shtetasi D. J., u ndalua për kontrolle, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë, në vendin e quajtur “Rrethi i Freskut”.

Nga kontrollet në automjet, u gjetën 6 armë zjarri (pistoleta SigSauer) të dyshuara të trafikuara nga Mali i Zi, me qëllim shitjen në këtë zonë.

Armët e zjarrit u sekuestruan bashkë me automjetin tip “Volksëagen” që drejtonte shtetasi F. Gj., si dhe me 4 celularë.

Në vijim të hetimeve rreth kësaj veprimtarie kriminale, u identifikua dhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i dyshuar i të arrestuarve, shtetasi E. S..

Vijon puna për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetime për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë./Versus.al

 

 

 

Poll