
Policia e Elbasanit ka arrestuar ditën e sotme Ervis Dervishin, i cili ishte shpallur në kërkim që prej një viti, pasi së bashku me vëllanë e tij që u arrestua në 2023 kishin kanosur shtetasin Aleko Ferhatin për t’i marrë 200 mijë euro pas prishjes së pazareve të drogës.
Sipas policisë i gjithë konflikti dyshohet se rrjedh nga veprimtari të përbashkëta kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera jashtë vendit.
Gjykata i ka caktuar 32-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", kryer në bashkëpunim, dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit'.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Çfarë ka ndodhur më parë?
Dy vëllezërit akuzohen se kanë kanosur 34-vjeçarin Aleko Ferhati, i njohur edhe si Blerim Ferhati, të cilit i kërkonin përmes presioneve që tu jepte shumën 200 000 euro.
Personi i kërcënuar nga dy vëllezërit, i cili është nga fshati Kajan i Belshit, rezultoi pronar i një aktiviteti biznesi në fushën e ndërtimit, me seli në Elbasan.
Pas denoncimit të bërë nga 34-vjeçari, policia kreu disa kontrolle gjatë të cilave në cilësinë e provës materiale ka sekuestruar 1 automjet, 1 motomjet dhe 2 celularë, në pronësi të 2 vëllezërve.
Njoftimi i Policisë
Vijon me intensitet zbatimi i masave të përcaktuara në planin operacional "Sundimi i ligjit".
Ndalohet një 32-vjeçar i shpallur në kërkim, i cili akuzohet se në bashkëpunim me vëllanë e tij, 1 vit më parë, kanosën një 34-vjeçar, që ai t’iu jepte 200 000 euro.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional "Sundimi i ligjit", për kapjen e shtetasve në kërkim, Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, bazuar në inteligjencën informative, ndaloi shtetasin në kërkim E. D., 32 vjeç, banues në Belsh.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", kryer në bashkëpunim, dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit'.
Shtetasi E. D., më datë 12.08.2023, në bashkëpunim me vëllanë e tij (i arrestuar më parë, në kuadër të operacionit "Pressure"), dyshohet se kanë kanosur një shtetas 34 vjeç, që ai t’iu jepte shumën 200 000 euro, që dyshohet se rrjedh nga veprimtari të përbashkëta kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera jashtë vendit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ Versus.al







